E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rishfaqet" Bleona Mata pas 3 vjetësh, në polici kushërira e saj

Të tjera rreth shkrimit Gjyshi dhe nëna e Bleonës: Dyshojmë tek Begzim Isa Zapod, aty ku u zhduk edhe Bleona Mata KUKËS – Historia e Bleona Matës, vogëlushes të zhdukur më 22 majin e 3 vjetëve më parë teksa kulloste bagëtitë në mal së bashku me kushëritat, është rikthyer sërish në skenë, pas arrestimit gjatë mëngjesit të sotëm të një të riu në fshatin Zapod të Kukësit, aty ku vogëlushja humbi çdo gjurmë, të akuzuar për rrëmbimin dhe trafikimin e një të mituri.

Faktet janë duke u lidhur me njëra-tjetër për të çuar drejt zbardhjes së ngjarjes për zhdukjen e vogëlushes Bleona Mati (në atë kohë 6 vjeçe). Sot në fshatin Zapod të Kukësit është arrestuar një 19-vjeçar i cili dyshohet se ka rrëmbyer një të mitur për qëllim trafikimin drejt Kosovës. Sipas policisë së Kukësit, Begzim Isa pasi ka mashtruar 8-vjeçarin me inicialet A.F e ka marrë me vete dhe më pas ka tentuar të largohet me të jashtë vendit, por fatmirësisht i mituri është shpëtuar nga policia, dhe autori ka rënë në prangat e uniformave blu.

Por, kjo ngjarje ka ngritur pista hetimi të reja edhe për zhdukjen e vogëlushes Bleona Mati tre vjet më parë, familja e së cilës jeton në të njëjtin fshat. Familjarët e 6 vjeçares Mata, kanë kërkuar nga organet kompetente që të hetojnë edhe këtë rast.

Pas arrestimit të 19-vjeçarit, pasditen e sotme është shoqëruar në polici, Qamile Mata, një nga 5 vajzat që shoqëronte Bleonën tre vjet më parë teksa vajzat kullosnin bagëtitë në mal. Shoqërimi i Qamiles, kushërirës së largët të vogëlushes së zhdukur, është nxitur nga arrestimi i sotëm i Begzim Isës, dhe kjo për shkak të lidhjes së gjakut që këta dy të fundit kanë me njëri-tjetrin. Qamile Mata është mbesa e Begzim Isës.

Qamile Mata, (në atë kohë 14 vjeç) ka qenë në epiqendër të akuzave të familjarëve të Bleonës si personi që i ka dhënë Bleonën rrëmbyesit të saj, konkretisht Begzim Isës.

Bukurie Mata, nëna e Bleonës, ka hedhur dyshime të forta në atë kohë se vajza e tyre ishte rrëmbyer dhe se vetë vajzat që e shoqëronin Bleonën ishin në dijeni të këtij fakti. Dyshimet e familjarëve gjithnjë kanë rënë mbi Qamile Matën.

SHPETIMI  I  8-VJECARIT NGA TRAFIKIMI
Një i mitur është rrëmbyer në fshatin Zapod të Kukësit, nga një 19-vjeçar më qëllim trafikimin e tij drejt Kosovës. Mësohet se 19-vjeçari Begzim Isha ka mashtruar 8-vjeçarin me iniciale A.F e ka marrë me vete dhe më pas ka tentuar të largohet me atë jashtë vendit.

Familjarët e të miturit të shqetësuar nga mos mbërritja e të birit në kohë në shtëpi kanë njoftuar menjëherë policinë e cila ka shkuar në vendngjarje dhe në rrugë operative ka arritur të identifikojë 19-vjeçarin si rrëmbyesin e të miturit.

Gjithashtu në banesën e të riut policia ka gjetur fëmijën e rrëmbyer duke e kthyer atë pranë familjes, ndërsa ka vënë në pranga edhe rrëmbyesin.

Burime pranë policisë bëjnë të ditur së në momentin e gjetjes nga policia, fëmija ka shfaqur probleme psikologjike dhe ka treguar se 19-vjeçari e ka kërcënuar me pistoletë që të mos tregojë asgjë për ngjarjen.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›