E Diel, 1 Nëntor 2026

Rishfaqet karkaleci, bën dëme në bujqësi

Edhe gjatë këtij sezoni bujqësia e Fierit po dëmtohet nga prania e shumë insekteve. Pas miut të arave është karkaleci ai që kërcënon tokat bujqësore të Myzeqesë. Insekte të tilla si karkaleci kanë bërë që sipërfaqe të tëra toke të jenë me infeksion të një shkalle të lartë. Fermerë të shumtë, si dhe përfaqësues të bujqësisë, në rajonin e Fierit, deklarojnë se karkaleci është rishfaqur gjatë kësaj vere në tokat e Komunës së Topojës, si dhe në ato të Dërmënasit. Autoritetet bujqësore pohojnë se kanë evidentuar 60 ha tokë të prekur nga infeksioni i këtij insekti. Duke e cilësuar situatën alarmante, ata kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga Ministria e Bujqësisë.

Prej 10 ditësh, në tokat e mbjella të rretheve Lushnjë e Fier është parë prania e karkalecit. Fermerët e thonë se tokat e tyre të mbjella me foragjere dhe perime janë dëmtuar nga ky insekt, që shtohet, sipas tyre, me orë. Fermerët ankohen se nuk mund ta përballojnë ekonomikisht spërkatjen me kimikate, për zhdukjen e karkalecit. Ushtria e karkalecit ka sulmuar edhe sipërfaqet e mbjella me fasule, si dhe kulturat e tjera të stinës.

"Problem është spërkatja, pasi ne nuk e përballojmë dot largimin e tij. Kemi përdorur pompat e shpinës me pesticidet e blera vetë, por nuk kemi arritur ta largojmë karkalecin. Masa e dëmtimit është e madhe", shprehen fermerët e këtyre zonave. Ata vijojnë të ankohen për praninë e miut nën tokë dhe karkalecin mbi të mbjella dhe sipas tyre, ky është falimentimi përfundimtar i bujqësisë.

Në Drejtorinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Qarkut Fier, specialisti Et‘hem Bitaj, shprehet se pasi janë konstatuar dhe parë në terren dëmet e shkaktuara janë marrë edhe masat konkrete. "Është e vërtetë që në Komunën e Topojës, veçanërisht në zonën e Semanit është një situatë e rëndë dhe një vatër e rrezikshme e infeksionit të karkalecit. Drejtoria e Bujqësisë së Fierit me specialistët përkatës të sektorit të shërbimit këshillimor, si dhe ata të inspektoratit të mbrojtjes së mbjelljeve ka evidentuar gjendjen në të gjithë territorin e Komunës Topojë dhe Dërmënas", ka pranuar specialisti Bitaj. Ai tha se "në Topojë janë prekur 50 ha nga karkaleci dhe 10 ha janë prekur në Komunën e Dërmënasit. Për këtë situatë të krijuar janë në procedurë të gjitha masat, që varen kryesisht nga fermerët dhe specialistët e komunave të prekura, por duhet thënë se Drejtoria e Bujqësisë, në Fier ka siguruar një sasi të lartë preparati, e cila në fakt është premtuar nga Ministria e Bujqësisë pas kërkesave tona".

Autoritetet e Bujqësisë premtojnë se do të ndërhyjnë brenda javës me spërkatjet e vatrave të prekura nga insekti i karkalecit.

Që prej disa vitesh me radhë insekti i karkalecit dëmton sipërfaqe të mëdha me të mbjella në Fier. Ndërsa në sezonin e vjeshtës dhe të dimrit ishin fshatrat e Komunës Kuman e Strum ato që denoncuan praninë e miut në tokat e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›