Kapet autori i tretë i plagosjes në Pogradec
Policia e Pogradecit ka vënë në pranga edhe një person tjetër për përplasjen me armë për motive politike. Bëhet fjalë për ngjarjen ku mbeti i plagosur në një pritë para banesës Luan Tollozhina. Burime të policisë kanë bërë të ditur se pas arrestimit në Tiranë të Artur Musollarit, i cili u shpall në kërkim për plagosjen e rëndë të 47-vjeçarit, është arrestuar edhe Meardi Berberi, 23 vjeç, nga qyteti i Pogradecit. Edhe ky do të akuzohet për plagosjen e Tollozhinës, i cili u godit nga një grup personash me shkopinj bejsbolli para shtëpisë së tij. Policia shpjegoi në lidhje me arrestimin e Berberit se nga hetimet ka rezultuar që ai është i implikuar në ngjarjen ku mbeti i plagosur me armë një tjetër person nga grupi i agresorëve, që i kishte zënë pritë 47-vjeçarit. Madje, policia dyshon se Berberi është personi i cili ka qenë i armatosur dhe që mund të ketë plagosur Bledi Buzon, i cili tashmë ndodhet nën arrest dhe kurohet në spital. Luan Tollozhina u plagos kur një grup personash i kishin zënë pritë para shtëpisë rreth orës 02:00, duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore, si pasojë e goditjes me shkopinj bejsbolli. Nga kjo ngjarje ka mbetur i plagosur dhe një prej të rinjve që ishte pjesë e grupit i cili ka iniciuar pritën. Ai është Bledi Buzo, që është qëlluar me armë gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, duke marrë një plagë në pjesën e kofshës.