Ndjekje penale kushërinjve, mashtruan për 26 mijë euro
Dy kushërinj janë dërguar për ndjekje penale, pasi dyshohen se kanë mashtruar një person, duke i marrë 26 mijë euro. I dëmtuari ka kallëzuar në polici pak kohë më parë, ndërkohë që ka paraqitur edhe dokumente për të vërtetuar paratë që i kishin marrë. Në lidhje me këtë, policia e kryeqytetit deklaroi zyrtarisht se Seksioni Kundër Krimit Ekonomik dërgoi për ndjekje penale në gjendje të lirë Përparim e Kreshnik Kulen, 52 e 25 vjeç, banues në Tiranë. Sipas dosjes penale, këta persona dyshohen se në vitin 2008, me anë të mashtrimit e falsifikimit të dokumenteve, i kanë marrë 16 mijë euro e 10 mijë dollarë shtetasit Ardian Sulejmanasi, 44 vjeç, banues në Kamzë. Ky i fundit, pak kohë më parë është paraqitur në Komisariatin nr. 5 dhe ka deklaruar sesi është mashtruar, pasi i kishin marrë paratë për t‘i investuar në biznes. Madje, ai ka treguar se për këtë problem ka edhe dokumente që vërteton se ka dhënë shumën e parave të lartpërmendura. Në këto kushte, Komisariati nr. 5 ia ka deleguar çështjen seksionit të Antikrimit ekonomik, oficerët e së cilës kanë marrë kontakt me të dëmtuarin, duke regjistruar procedimin penal. Ndërkaq, policia tha se dy të akuzuarit dyshohet se kanë falsifikuar edhe dokumente për të arritur mashtrimin e tyre. Megjithatë, nuk janë dhënë detaje nëse ata janë marrë në pyetje ose jo deri tani nga oficerët e policisë gjyqësore në lidhje me këtë çështje. Por, çështja i është deleguar prokurorisë për veprime të mëtejshme dhe pritet që prokurori i çështjes të thërrasë dy palët për dokumentimin e plotë të saj.