Sherr me pistoleta, nuk gjendet ndonjë i dyshuar
Një sherr mes disa personash në Tiranë ka sjellë edhe të shtëna me armë, por policia nuk ka informacion nëse është plagosur ndonjë person. Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes së të hënës, ndërkohë që po punohet për identifikimin e gjithë personave të përfshirë në sherr. Sipas të dhënave zyrtare të policisë kryeqytetase, rreth orës 20:30 është njoftuar se në rrugën "5 Maji", në afërsi të disa lokaleve, pas një konflikti midis disa personave, është qëlluar me pistoletë në ajër. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 4, por nuk kanë gjetur asnjë person të dyshuar. Në këto kushte u kryen veprimet hetimore dhe në vendin e ngjarjes u bllokua një gëzhojë pistolete. Policia tha se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.