E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vendime emergjente për zgjidhjen e procesit të instalimit të kamerave”

09/06/2009  Sekretari i përgjithshëm i LSI-së kërkesë të prerë KQZ-së

Infrastruktura zgjedhore ka sjellë dhe shqetësimet e para të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kështu, qëndruar te numërimi i votave të zgjedhësve shqiptarë, Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi nga Komisioni Qendror Zgjedhor që të respektojë Kodin Elektoral lidhur me një çështje të tillë, duke realizuar në mënyrën e duhur instalimin e kamerave. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, duke deklaruar qëndrimin e prerë të partisë që ai përfaqëson, kërkoi që “KQZ-ja të marrë situatën në dorë, të aplikojë vendime e qëndrime emergjente për zgjidhjen e procesit të instalimit të kamerave, si dhe të informojë qartë partitë dhe publikun e gjerë mbi ecurinë e procesit, sepse kjo ka të bëjë me standardet e zgjedhjeve dhe vërtetësinë e tyre”. Sipas tij, Kodi Zgjedhor dhe udhëzimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përcaktojnë qartë se procesi i numërimit të votave duhet të kryhet në vendet e numërimit të përcaktuara dhe ku instalohet sistemi i kamerave, që evidenton çdo votë të numëruar dhe kërkesat e ligjit thonë qartë se kjo duhet të bëhej 40 ditë përpara datës së zgjedhjeve. “Është shumë shqetësuese gjendja e vendeve të numërimit, sepse procesi i instalimit të sistemit të kamerave është shumë i ngadaltë, jashtë të gjitha afateve ligjore, duke rrezikuar seriozisht standardin e zgjedhjeve dhe posaçërisht procesin shumë të rëndësishëm të numërimit transparent të votave”, - deklaroi Vasili. Gjithashtu LSI-ja vlerësoi si shumë shqetësuese deklaratat e Ministrit të Brendshëm për rreth 500 000 karta identiteti të patërhequra ende. Sipas tij, një situatë e tillë duhet të hetohet menjëherë nga drejtësia, por edhe nga partitë politike, sepse është paradoksale dhe e dyshimtë që këta qindra mijëra qytetarë që kanë shpenzuar paratë dhe kohën e tyre, nuk e gjejnë të udhës të tërheqin karta e tyre. “Situata bëhet edhe më serioze realisht, sepse duke i shtuar këtyre 500 000 votuesve edhe mijëra qytetarë, të cilët për arsye të keqfunksionimit të sistemit të aplikimit nuk kanë aplikuar ende, do të thotë që më shumë se gjysma e qytetarëve votues të Shqipërisë do t’i mungojnë procesit të votimit, duke kompromentuar shumë rëndë besueshmërinë e tij”, - u shpreh Vasili.

Qëndrimi

Lëvizja Socialiste për Integrim, si në zgjedhjet e 28 Qershorit, ashtu dhe në zgjedhjet e vitit 2005, ditën kur u ndryshua Kushtetuta apo ditën kur ndodhi Gërdeci, ka një kundërshtar politik, që quhet Sali Berisha.

Kërkesa

“LSI-ja i kërkon misionit të posaçëm vëzhgues të OSBE–ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit që të luajë rolin e tij lidhur me deklaratën e Ministrisë së Brendshme, pasi lidhet me fatin e standardeve të zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›