E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e ndihmës ekonomike në reformim

22/02/2009  Listës do t’i shtohen jetimët, viktimat e trafikimit si dhe 5 kategori kryefamiljarësh

Ngrihet grupi ndërministror për evidentimin e skemës së shpërndarjes

Skema e ndarjes së ndihmës ekonomike do të rishikohet nga e para. Për këtë një grup ndërministror, i ngritur me urdhër të Kryeministrit, do të evidentojë brenda një kohe të shkurtër të gjitha ndryshimet që do të pësojë kjo skemë. Paraprakisht është pohuar se në skemën e mbështetjes me ndihmë ekonomike do të përfshihen edhe kategori të veçanta, që nuk kanë përfituar më parë. Por kjo gjë do të bëhet menjëherë pas evidentimit të situatës reale dhe spastrimit të skemës nga përfituesit abuzivë. Grupi ndërministror pritet të zhvillojë mbledhjen e parë ditën e hënë, nëpërmjet së cilës do të detajohen dhe përcaktohen të gjitha ndryshmet përbërëse të kësaj skeme. Sipas praktikave të verifikuara, janë identifikuar disa kategori, të cilat nuk përfitojnë nga skema aktuale e ndihmës, ndonëse janë në vështirësi ekonomike e sociale. Këto kategori, për arsye të ndryshme, kanë rënë nën linjën e varfërisë, prej 2 dollarësh në ditë për person. Konkretisht janë dy grupe që do të përfshihen në skemën e NE-së pas evidentimit të situatës reale të shpërndarjes. Kështu, në grupin e parë do të bëjnë pjesë jetimët, të cilët nuk mbështeten nga institucionet e përkujdeset, si dhe viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror. Ndërsa në grupin e dytë është propozuar për shtim të pesë kategorive të ndryshme, që do të bëjnë pjesë në listat e trajtimit me ndihmë ekonomike. Megjithatë, synohet që të forcohen kontrollet në njësitë vendore që janë dhe përgjegjëse për shpërndarjen e masës, këto të fundit kanë rezultuar të kenë një sërë problemesh abuzive. Kjo për faktin se në skemën e shpërndarjes së ndihmës ekonomike përfshijnë familje që nuk plotësojnë kriteret përfituese.

Jetimët /Trafikimi

Pas evidentimeve të bëra ka rezultuar se disa grupe në nevojë që duhet të jenë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, janë edhe fëmijët jetimë, të cilët nuk qëndrojnë në institucione të trajtimit specifik, si dhe viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesit.

Fëmijët kryefamiljar

Skemës do t’i shtohen grupet që kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, pasi prindërit e tyre nuk jetojnë më, kur kanë vetëm njërin nga prindërit, por ky është i dënuar për vepra penale, si dhe po në të njëjtin rast kur i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate.

Familjarët pa pension

Gjithashtu kësaj skeme do t’i shtohen edhe rastet kur kryefamiljare është nëna, ndërsa prindi tjetër nuk jeton më, si dhe një tjetër grup, kur si kryefamiljar është një pjesëtar i familjes që është mbi moshë pune e që nuk përfiton pension, ashtu si dhe pjesa tjetër e familjes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›