Stamboll, Topi: “E ardhmja e rajonit është integrimi në BE”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi dje në Stamboll se integrimi i Shqipërisë dhe i të gjithave vendeve të Europës Juglindore në Bashkimin Europian është rruga e vetme për të ardhmen e rajonit. "Shqipëria vazhdon të mendojë se integrimi europian mbetet jo vetëm rruga e vetme e jona për të siguruar qëllimet për të cilat ne u mblodhëm dhe krijuam këtë strukturë, forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, zhvillimin ekonomik dhe luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar e terrorizmit, por edhe perspektivën më të qartë për një të ardhme më të mirë për popujt dhe vendet tona", - u shpreh presidenti Topi. Presidenti kërkoi që edhe Kosova të bëhet pjesë e nismave rajonale, si një realitet i pamohueshëm. "Ne jemi gjithashtu dëshmitarë të faktit të pamohueshëm që pavarësia e Kosovës i ka kontribuuar paqes dhe sigurisë në një rajon ku lufta për vite të tëra traumatizoi Europën dhe botën mbarë. Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë përfshirjen, përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në nismat tona rajonale dhe ato shumëpalëshe, si dhe proceset integruese të saj dhe të të gjitha vendeve të rajonit për t’u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Europian", - tha Topi. Deklaratat Topi i bëri gjatë Samitit të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore që u zhvillua në Stamboll të Turqisë.
24 Qershor 2010