KSHH: Vendimi i Gjykatës ndaj Top Channel-it dekurajon shtypin e lirë
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kritikuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë për dëmshpërblimin e Top Channel-it ndaj ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango.
Në trajtimin e kësaj çështjeje, KSHH ka parasysh faktin se investigimi mediatik, në rastin konkret, u krye ndaj një ish-ministri, funksionar i lartë i shtetit, i cili, duke pranuar të ushtrojë këtë funksion, ka pranuar njëkohësisht që veprimtaria e tij të jetë nën vëzhgimin e publikut të gjerë, si dhe të vlerësimit ose kritikës së shtypit të lirë.
KSHH mendon se investigimi i mediave ndaj funksionarëve të shtetit duhet të ketë për synim të konstatojë të vërtetën lidhur me përdorimin e pushtetit dhe zbatimin e ligjit prej tyre, me qëllim që të ushtrohet kontrolli mbi ta jo vetëm nga organet kushtetuese, por edhe nga zgjedhësit që i kanë mandatuar. Komiteti sqaron se e drejta e privatësisë është e garantuar si nga Kushtetuta jonë dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, por, siç dihet, ajo nuk mund të jetë absolute. Në rrethana dhe kushte të caktuara, sidomos kur është çështja e sjelljeve dhe qëndrimeve të funksionarëve të lartë të shtetit, përparësi merr e drejta e publikut për informim. Në raport me cenimin apo kufizimin e kësaj të drejte, element i rëndësishëm është ai i proporcionalitetit. Ushtrimi i së drejtës së privatësisë në asnjë rast nuk duhet të bjerë ndesh me interesin e publikut të gjerë. Komiteti shpjegon rastin në fjalë me rastet në praktikën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ku pavarësisht se është konstatuar ndonjë teprim, madje edhe ndonjë provokim nga ana e medias, sidomos të asaj investigative, është pranuar se shërbimi që i bëhet publikut të gjerë është shumë më i madh se cenimi i reputacionit të pretenduar nga funksionari objekt investigimi. Kjo gjykatë e ka shprehur qartë qëndrimin e saj se “kritika mund të bëhen në lidhje me jetën private të një individi, por duhet treguar se ndërhyrjet janë të justifikuara nga konsideratat të një interesi publik, ose që problemi bën pjesë në çështje të interesit të përgjithshëm” (çështja “Tammer” kundër Estonisë). Duke marrë shkas nga kjo çështje, KSHH e shikon të nevojshme të theksojë edhe njëherë çka përmendet në disa vendime të Gjykatës së Strasburgut, se gazetarët kanë të drejtë të informohen, ashtu si dhe publiku ka të drejtë të marrë informacion. Në të kundërtën, shtypi nuk do të luante rolin e tij të pazëvendësueshëm në një shoqëri demokratike. Në përfundim, KSHH shpreh shqetësimin e tij lidhur me vendimin e mësipërm të Gjykatës jo thjesht për detyrimin e Top Channel-t me shumën 400 mijë euro, por sidomos për faktin se një vendim i tillë mund të dekurajonte shtypin e lirë, sidomos median investigative për kryerjen e misionit të saj. Në këtë vështrim vlen të evidentohet fakti se emisioni “Fiks fare”, pavarësisht nga vërejtjet që mund të bëhen, ka dhënë një kontribut të vlefshëm në interes të publikut, sidomos në luftën ndaj korrupsionit dhe parandalimit të krimit.
24 Qershor 2010