E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rishikimi i historisë dhe figurës së Zogut”

11/11/2011  Kryeministri Berisha mbledh qeverinë, diskuton për 100-vjetorin e Shqipërisë

Qeveria planifikon festime në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë Kryeministri Berisha përsëriti ftesën drejtuar historianëve shqiptarë për të riparë faktet historike nën dritën e të vërtetës, pjesë e së cilës sipas kërkesës së tij, të jetë edhe ridimensionimi i figurës së mbretit të parë shqiptar Ahmet Zogu. Duke folur për 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, e cila nis më 28 nëntor, kreu i qeverisë foli për rëndësinë e këtij përvjetori, si dhe për përgatitjet e qeverisë shqiptare përgjatë gjithë vitit të 100-të. “100-vjetori i pavarësisë duhet të jetë viti ku ne duhet të nderojmë përpjekjet e shqiptarëve për bashkimin e trojeve dhe sakrificat e tyre, të gjithë të rënëve për liri dhe dinjitet nga 28 nëntori; 100-vjetori është një përvjetor ku ne duhet të nderojmë burrat e shquar të kombit që themeluan me veprën e tyre dhe vizionin e tyre, luftën e tyre, shtetin e ri shqiptar”, -tha Kryeministri. Në listën e atyre burrave që kishin meritën për shtetin shqiptar, shefi i ekzekutivit veçoi mbretin Zog të parë, i cili sipas tij, e konsolidoi këtë shtet, themelet e të cilit u hodhën në Vlorë. Për këtë, Berisha kërkoi rishkrimin me objektivitet të historisë. “Dua të nderoj mbretin e parë të shqiptarëve, i cili bëri të mundur që pavarësia të shndërrohet në një realitet, të konsolidohen themelet e shtetit që u hodhën në Vlorë, u konsoliduan gjatë mbretërisë së Zogut të parë në të gjithë kompleksitetin e historisë. Është e domosdoshme që të dalin të vërteta historike dhe kjo jo për të vendosur në hije një palë dhe nxjerrë në dritë palën tjetër. Ata të cilët bënë të mundur pavarësinë e Shqipërisë, kanë meritën e themeluesve të saj dhe natyrisht duhet të vlerësohen me objektivitet historik në të gjithë kompleksitetin e tyre”, - vijoi Berisha. Kryeministri e cilësoi 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë një akt madhor, në të cilin kanë kontribut kryesor, dhe jo të vogël, shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, të diasporës kryesisht të SHBA.

Përvjetori i pavarësisë

Starton ndërtimi i Parlamentit dhe stadiumit të ri

Përveç festimeve të shumta në të gjithë vendin, qeveria ka përcaktuar si prioritetet me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit edhe ndërtimin e godinës së re të Parlamentit të Shqipërisë dhe ndërtimin e një stadiumi kombëtar tërësisht të ri. Ndërkohë që për selinë e Parlamentit është zhvilluar një konkurs ndërkombëtar dhe është përcaktuar projekti, për stadiumin, i cili do të presë mbi të gjitha ndeshjet e kombëtares së futbollit, ende nuk është përcaktuar asgjë. Kryeministri foli edhe për ndërtimin e monumentit të pavarësisë. “Duhet të hapet menjëherë konkursi për monumentin e pavarësisë për 100-vjetorin e saj. Qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet që ai të përfundojë më 28 nëntor. Është vendosur në këtë kuadër që të nisë ndërtimi i Parlamentit dhe i stadiumit, dyprojekte në të cilat qeveria qëndron plotësisht, sigurisht brenda procedurave ligjore”, - deklaroi Berisha. Duke folur për projektet që qeveria është duke ndërtuar dhe që synon përfundimin e tyre brenda vitit të 100-vjetorit, Kryeministri përmendi ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, apo dhe premtimin për ndërtimin e një Shqipërie dixhitale. Në përfundim të fjalës së tij për këtë çështje, Berisha bëri me dije se për përgatitjet e festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë do të ngrihet një komision qeveritar, pjesë e të cilit me ftesë të Kryeministrit mund të jenë edhe qeveritarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, organizatat politike të diasporës, arbëreshët, etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›