E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrollet, tregtimi i mishit skandaloz

11/11/2011  Drejtoria e Shëndetit Publik

ELBASAN- Drejtoria e Shëndetit Publik në Elbasan është përqendruar këto ditë në kontrollin e tregjeve, mishit dhe ujit të pijshëm. Sipas drejtorit të kësaj drejtorie z. Bujar Kllogjeri, gjatë këtij muaji inspektorët e Drejtorisë së Shëndetit Publik kanë verifikuar të gjitha tregjet e Elbasanit, duke u përqendruar veçanërisht në tregun kryesor të qytetit. Nga kontrollet e ushtruara rezulton se mjaft tregtarë i tregtojnë frutat dhe perimet në trotuare ose në vende që nuk plotësojnë kriteret higjieno-sanitare. Për këtë qëllim i është kërkuar ndërhyrje e menjëhershme Bashkisë Elbasan.

Objekt i kontrollit të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Elbasan kanë qenë edhe tregtarët e mishit. Sipas drejtorit Kllogjeri rezulton se disa prej tyre i kryejnë therjet e bagëtive në rrugë apo në afërsi të pikave të tregtimit të mishit jashtë çdo standardi të kërkuar. DRSHP ka tërhequr vëmendjen e tregtarëve që t’i drejtohen thertores së këtij qyteti, e cila plotëson të gjitha kushtet e therjes së bagëtive e të përpunimit të mbeturinave të therjes. Nga ana tjetër kjo drejtori kërcënon se do të ndëshkojë në bazë të ligjit, deri në mbyllje të aktivitetit për të gjithë tregtarët e padisiplinuar. Por vëmendja vazhdon të jetë e madhe edhe në drejtim të pastërtisë së ujit të pijshëm për qytetin. Për çdo ditë kryhen dy palë analiza dhe deri më tani nuk ka rezultuar ndonjë vatër me ngarkesë mikrobike. Drejtori Bujar Kllogjri nënvizon faktin se kërkohet investim për një pus në Mengël, por për ujin nuk ka asnjë problem pasi për çdo ditë kryhet dezinfektimi me klor sipas standardeve të kërkuara. L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›