E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishikimi i ligjeve Topalli Rama po bllokon integrimin

Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli e cilësoi një tentavë për bllokim  të procesit te integrimit kërkesën e kryesocialistit Edi Rama  për  rishqyrtim  të projektligjeve që kërkojnë të tre të pestat e votave, dhe që tani pritet vetëm të votohen. Ajo ftoi kreun e opozitës të rishikojë këtë qendrim, ndërsa theksoi se secili do të mbajë përgjegjësitë e tij, nëse reformat integruese vonohen më tej.

"Nëse kërkohet tërheqja e draftit mbi të cilën kanë punuar të gjithë deputetët e maxhorancës dhe opozitës atëherë ky është bllokim. Nuk është kurs i ri, por është bllok", tha zonja Topalli.

Ajo i dha këtë përgjigje  deklaratës së zotit Rama se këto drafte janë arna të maxhorancës.

"Ligjet nuk janë as arna dhe as zhele. Për ligjet dhe draft ligjet duhet pasur më shumë respekt sepse janë drafte mbi të cilat kanë punuar deputetë të maxhorancës dhe opozitës", theksoi ajo.

Zonja Topalli konfirmoi se drafti i të majtëve për ndryshimet në rregullore ku kërkohet që në parlament të rikthehet votimi i fshehtë, do të merret në shqyrtim nga maxhoranca. Por në vlerësimin e saj, kongresi amerikan ku funksionon vota e hapur, është një model që duhet ndjekur.

"Unë nga momenti që do të kem në dorë diçka natyrisht që do të kem të drejtën për ta krahauar me standartet e vendeve dhe parlamenteve demokratike . Natyrisht jam njeri që dua transparencën dhe ajo që unë admiroj në mënyrë të padiskutueshme është mënyra e funksionimit të Kongresit Amerikan", u shpreh Topalli.

Zonja Topalli i bëri deklaratat në një konferencë për shtyp ku foli për vizitën e saj në Uashington. Në Shtetet e Bashkuara, kryetarja e Kuvendit mori pjesë në forumin parlamentar për demokraci si edhe pati takime me disa kongresmenë amerikanë.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›