E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja ekonomike, 6.3 për qind

Rritja ekonomike e Shqipërisë në pjesën e parë të vitit ka qenë rreth 6 për qind, ndërsa në të ardhmen, pra në 2009, parashikohet të jetë 6,3 për qind. Vlerësimi vjen nga Ministria e Financave, e cila rrëzon në një farë mënyrë pretendimet e Kryeministrit për rritje ekonomike dyshifrore, pra 11 për qind. Në dy muajt e fundit, kreu i qeverisë në takimet që ka zhvilluar me investitorë të huaj dhe me drejtues institucionesh ndërkombëtare, ka theksuar disa herë faktin se rritja ekonomike në Shqipëri është dyshifrore dhe më e larta në Ballkan. Edhe këtë radhë, ashtu si herët e tjera, pretendimet e Kryeministrit, kur bëhet fjalë për shifra hidhen poshtë nga ministri i Financave, ndoshta jo direkt. Në projektbuxhetin e vitit 2009, i miratuar javën e kaluar në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, është parashikuar një rritje ekonomike për vitin që vjen në nivelin e 6,3 për qind, ndërsa deri në vitin 2011, ministria pretendon një rritje deri në 7,3 për qind. Kjo do të arrihet nëse zbatohen skenarët e qeverisë për ritmin e të ardhurave dhe shpenzimeve. Për sa i takon vitit 2008, ministria thotë se rritja ekonomike vërtitet te 6 përqindëshi, ndërsa inflacioni brenda parametrave të vendosur nga Banka e Shqipërisë, prej rreth 3 për qind.

Duke qëndruar te parashikimet, lidhur me nivelin e kreditimit për ekonominë, Ministria e Financave vlerëson se ritmi i tyre do të bjerë në 20 për qind, madje pritet një rënie deri në 15 për qind. Sot niveli i kreditimit për ekonominë është 45 për qind, ndërsa dy vite më parë shënonte një masë deri në 70 për qind. Për sa i takon depozitave. Qeveria pretendon se niveli i tyre do të jetë sa 60,4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose 8 miliardë dollarë. Aktualisht depozitat, duke iu referuar vitit 2007 zënë rreth 52 për qind të PBB-së. Ky i fundit, brenda pesë viteve të ardhshme, do të jetë rreth 16 miliardë dollarë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›