Risia, sjell në jetë një fëmijë, ofrohet pakoja e mirëseardhjes

Tiranë, 19 dhjetor 15:58 NOA - Nënshkruhet marrëveshja mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe shoqërisë “Zero Pozitiv Public”.
Ky projekt është konceptuar për nënën dhe që sapo ka lindur foshnjën e saj. Ai ka të bëjë me përgatitjen e një “pakoje mirëseardhjeje” për çdo fëmijë që vjen në jetë, e cila do t’u jepet nënave në maternitetet e Shqipërisë apo qendrat e tjera analoge.
Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, shprehu gëzim në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
“Kjo do të jetë një pako mirëseardhjeje për të sapolindurit, që janë rreze drite në çdo shtëpi dhe gëzim për të tërë ne. Kjo pako do të ketë broshura informative aq të dëshiruara për nënat e reja, si edhe produkte të domosdoshme për foshnjën, si; peceta të lagura, vaj, krem pudër, shampo, sapun e shumë të tjera. Sipas statistikave, në vendin tonë ka 35 mijë lindje në vit dhe këto pako do të jenë 2500 deri në 3000 në muaj dhe do të shpërndahen për çdo foshnje të lindur, nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë” – tha Ministrja Godo.
Ofrimi i ‘Pakos së Mirëseardhjes’, synon rritjen e njohurive të nënave të reja, prindërve, kujdestarëve të fëmijëve për mirërritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të foshnjave, si shprehje e kujdesit dhe vëmendjes së shoqërisë ndaj nënës dhe fëmijës, sipas projektit në fjalë..
Pakot do të shpërndahen gjatë gjithë vitit dhe në baza mujore, të shoqëruara me dokumentacionin për evidenca të sakta të pranim – dorëzimit, duke mbuluar të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kjo do të shoqërohet me fletoren e shëndetit të fëmijës dhe materiale të tjera promocionale të përgatitura nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë tha sot se ajo angazhohet që nëpërmjet sektorit që mbulon shëndetin riprodhues pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, të ofrojë informacionet e nevojshme lidhur me numrin e lindjeve në territorin e Shqipërisë, të ofrojë informacione dhe dokumente për politikat, strategjitë dhe rregulloret e ndryshme në këtë fushë.
Gjithashtu ky dikaster do të përcaktojë mënyrat dhe përgjegjësitë e shpërndarjes së këtyre materialeve në institucionet e kujdesit shëndetësor publik që ofrojnë kujdes në lindje, si edhe të ofrojë mundësi për dorëzimin e ‘Pakos së mirëseardhjes - Foshnjës time’ në maternitetet dhe institucionet shëndetësore në mbarë territorin e Republikës së Shqipërisë.
a.l/NOA