E Shtunë, 31 Tetor 2026

Risija banke ure dhe ne Shqiperi

Banka urë, është një bankë e cila pritet të nis funksionimin për herë të parë në Shqipëri. Janë krizat ekonomike e financiare, ato që nxjerrin më sipërfaqe nevojën e kësaj banke, të ashtuquajtur si banka e shpëtimit. 
Banka urë do të bëjë të mundur menaxhimin e aseteve dhe detyrimeve të një banke, e cila shfaq probleme financiare, duke bërë të mundur parandalimin e falimentimit. Detyrimet që i transferohen bankës urë përbëhen kryesisht nga depozitat e siguruara të bankës me probleme, por pa u kufizuar vetëm në to. Kjo bankë do të bëjë të mundur shitjen e aktiveve tek bankat e tjera. Krijimi i bankës urë është rrjedhojë e ligjit që Banka e Shqipërisë miratoi në fund të vitit të shkuar, përmes të cilit bëhej e mundur shkëputja financiare e bankave bijë nga ato mëma në shtetet e tjera.
Sipas ekspertëve të financave, miratimi i rregullores që lejon krijimin e bankës urë është e nevojshme, pasi krijon masa parandaluese ndaj falimemntimit të subjekteve bankare. 
Sipas rregullores së miratuar nga Banka e Shqipërisë, institucioni qendror monetar miraton dy menaxherë për të administruar aktivet e bankës që ka shfaqur probleme. Këta menaxherë vijnë nga bordi aksionerëve të bankës, e cila do të trajtohet nga banka e shpëtimit. Po ashtu, pjesë e bankës urë mund të bëhen dhe përfaqësues nga agjencia e sigurimit të depozitave, në atë nivel që kjo agjenci kontribuon.
Në një farë mënyrë, Banka e Shqipërisë lejon që aktivitetet apo gjendja financiare e një banke private të kalojë përmes menaxhimit të saj, duke krijuar bankën urë. Edhe njëherë Banka Qendore është treguar e gatshme për të mbajtur sistemin financiar dhe në tërësi ekonominë shqiptare nga goditje të mundshme nga kriza në Eurozonë. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›