E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëse do të isha grek, do të tërhiqja depozitat nga bankat

Nobelisti për ekonominë, Paul Kurgman

Skenaret për fatin e Greqisë pas zgjedhjeve të 17 qershorit janë të shumtë, megjithatë ka një konsensus të pashkruar midis njohësve të mirë të fushës se edhe nëse fitojnë partitë e moderuara, grekët nuk do ta kenë aspak të lehtë për tia dalë. Skenarin më ogurzi e paraqet nobelisti për ekonominë Paul Krugman, i cili vazhdimisht ka folur për një dalje të Greqisë nga eurozona dhe kthimin e saj tek dhrahmia, e cila do të sillte një zhvlerësim me 30 deri 50 për qind të ekonomisë dhe bashkë me të edhe të depozitave. Diçka duhet të ndodhë dhe kjo duhet të jetë një dalje greke. Unë do të isha i habitur nëse ata do të mund të mbijetonin edhe dy vjet pa e lenë zonën euro. Madje do të habitesha nëse do të qëndronin edhe një vit. Ngjarja që do të detyrojë daljen do të jetë ndalimi i kreditmit të Bankës Qendrore Europiane ndaj bankave greke. Askush nuk e do atë por vjen një pikë kur janë numrat ato që e detyrojnë një gjë të tillë, – shprehet ai në një intervistë për The independent.

Por përgjigja më e drejtpërdrejtë vjen më pas: Nëse unë do të isha një depozitues grek, do të përpiqesha që ti transferoja paratë nga bankat pasi ekziston një propabilitet i arsyeshëm që pas një fundjave të gjatë, llogaria të kthehej në dhrahmi me një vlerë 30 deri 50 për qind më të ulët.

Në këtë mënyrë, Krugman parashikon kthimin e Greqisë tek dhrahmia, madje sipas tij kjo është edhe shpëtimi i vetëm i Greqisë. Mundësia e shpëtimit është dalja nga euro. Njëri nga eksportet më të mëdha është turizmi. Dalja mund të krijojë një skenë të shëmtuar për gjatë muaj apo një vit por pas kësaj gjenden shumë paketa turistike me britanik që shkojnë në ishujt e Greqisë. Kjo tingëllon e tmerrshme por nuk është aq keq para një papunësie prej 50 për qind të të rinjve, -shpjegon ai.

Ka edhe prej tyre që janë disi më të moderuar, të paktën në fjalë. Sipas Thomas Mayer, kryekonomist i Deutsche Bank, Greqia mund të ketë paralelisht dy monedha në të njëjtën kohë. Në vend të rrogave dhe pensioneve, grekët do të merrnin fillimisht letra këmbimi, që do ti këmbenin me njëri-tjetrin për të mbuluar nevojat e përditshme. Letrat e këmbimit Mayer i quan euro greke:

Ish-ministri i jashtëm gjerman, Joshka Fisher ndërkohë, ka publikuar këto ditë një analizë duke ia hedhur në një farë mënyre BE-së. Të mos e mashtrojmë veten. Nëse euro shpërbëhet, do të shpërbëhet edhe Bashkimi Evropian, duke shkaktuar një krizë globale ekonomike në atë shkallë, të cilën shumica e njerëzve që jetojnë sot, nuk e kanë përjetuar kurrë. Evropa është në buzë të greminës dhe me siguri se do të bie në të, nëse Gjermania dhe Franca nuk ndryshojnë kursin, – thotë ai duke shtuar se nëse lejojnë që Greqia të dalë nga euro, atëherë do ti hapin rrugën asaj që të lidhë aleanca të reja dhe një ndër to do të ishte me Rusinë. Atëherë do ti jepnim fund edhe zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, – thotë ai.

Një skenar ekstrem publikohet në gazetën austriake Der Standard, e cila flet për përgatitjet evropiane, deri edhe për mbylljen e kufirit me Greqinë, ku sipas gazetës do të ketë kaos pas zgjedhjeve të 17 qershorit. Duke cituar burime në Bruksel, gazeta shkruan se BE ka një plan për të mbyllur kufirin me Greqinë dhe për ndalimin e lëvizjes së lirë e qytetarëve grekë në Evropë, në rast të tërheqjes së Greqisë nga euro. Sipas saj, qeveritë evropiane shqetësohen se dalja e Greqisë nga euro do të shkaktojë rrjedhje masive të tregjeve të kapitalit dhe sidomos një valë emigracioni të grekëve dhe emigrantëve të huaj që ndodhen në Greqi, drejt pjesës tjetër të Evropës.

Joshka Fisher

Të mos e mashtrojmë veten. Nëse euro shpërbëhet, do të shpërbëhet edhe Bashkimi Evropian, duke shkaktuar një krizë globale ekonomike në atë shkallë, të cilën shumica e njerëzve që jetojnë sot, nuk e kanë përjetuar kurrë. Evropa është në buzë të greminës dhe me siguri se do të bie në të, nëse Gjermania dhe Franca nuk ndryshojnë kursin

Bankat shqiptare janë të sigurta, fitimi 20 mln dollar në tre muaj

Të gjitha skenarët e ekspertëve ndërkombëtar te financave bëjnë fjalë për fatin e ekonomisë greke dhe të kursimeve në bankat që ndodhen në Greqi. Kjo situatë nuk ka të bëjë aspak me sistemin bankar në Shqipëri dhe filialet e bankave greke në Shqipëri. Sistemi bankar shqiptar mbetet i mirekapitalizuar dhe të dhënat tregojnë se deri më tani nuk ka asnjë rrezik. Kjo siguri vjen në sajë të rregullimeve ligjore që janë bërë deri më tani nga qeveritë dhe Banka e Shqipërisë duke ndarë bankat bija me kapital të vetin duke mos u ndikuar nga fati i bankave mëma.

Madje gjatë muajve të fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e kursimeve në euro në sistemin bankar shqiptar, një pjesë e të cilave vlerësohet se janë transferuar nga Greqia. Sistemi ynë bankar vazhdon me fitime të konsiderueshme. Të dhënat zyrtare të Shoqatës së Bankave flasin për një fitim rreth 20 milionë dollar të sistemit bankar shqiptar gjatë tremujorit të parë të këtij viti, tregues me rritje ky krahasuar me tremujorin e vitit të kaluar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›