Krugman: Nëse do të isha grek, do të tërhiqja depozitat nga bankat

Skenarët për fatin e Greqisë pas zgjedhjeve të 17 qershorit janë të shumtë, megjithatë ka një konsensus të pashkruar midis njohësve të mirë të fushës se edhe nëse fitojnë partitë e moderuara, grekët nuk do ta kenë aspak të lehtë për t’ia dalë.
Skenarin më ogurzi e paraqet nobelisti për ekonominë Paul Krugman, i cili vazhdimisht ka folur për një dalje të Greqisë nga eurozona dhe kthimin e saj tek dhrahmia, e cila do të sillte një zhvlerësim me 30 deri 50 për qind të ekonomisë dhe bashkë me të edhe të depozitave. “Diçka duhet të ndodhë dhe kjo duhet të jetë një dalje greke. Unë do të isha i habitur nëse ata do të mund të mbijetonin edhe dy vjet pa e lenë zonën euro. Madje do të habitesha nëse do të qëndronin edhe një vit. Ngjarja që do të detyrojë daljen do të jetë ndalimi i kreditmit të Bankës Qendrore Europiane ndaj bankave greke. Askush nuk e do atë por vjen një pikë kur janë numrat ato që e detyrojnë një gjë të tillë”, – shprehet ai në një intervistë për “The independent”.
Por përgjigja më e drejtpërdrejtë vjen më pas: “Nëse unë do të isha një depozitues grek, do të përpiqesha që t`i transferoja paratë nga bankat pasi ekziston një propabilitet i arsyeshëm që pas një “fundjave të gjatë”, llogaria të kthehej në dhrahmi me një vlerë 30 deri 50 për qind më të ulët”.
Në këtë mënyrë, Krugman parashikon kthimin e Greqisë tek dhrahmia, madje sipas tij kjo është edhe shpëtimi i vetëm i Greqisë. “Mundësia e shpëtimit është dalja nga euro. Njëri nga eksportet më të mëdha është turizmi. Dalja mund të krijojë një skenë të shëmtuar për gjatë muaj apo një vit por pas kësaj gjenden shumë paketa turistike me britanik që shkojnë në ishujt e Greqisë. Kjo tingëllon e tmerrshme por nuk është aq keq para një papunësie prej 50 për qind të të rinjve”, shpjegon ai.