E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mospërmbushja e të ardhurave shkak për rishikimin e buxhetit

 Sipas kësaj ministrie, shkurtimet llogariten në rreth 10 miliardë lekë. Këto shkurtime bëhen për shkak të mos përmbushjes së të ardhurave të parashikuara për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Sipas ekspertëve çdo shkurtim i të ardhurave, parashikohet të zëvendësohet nga të ardhurat që pritet të vijnë nga privatizimet. Periudha aktuale është edhe koha kur pritet të nisë procedura e privatizimit për disa vepra strategjike shtetërore. Sipas burimeve nga institucioni i menaxhimit të financave publike shkurtimet nuk do të prekin kurrësesi investimet publike.  

Ministri i Financave Ridvan Bode, si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e kanë vlerësuar vitin 2012 si vitin më të vështirë nga ana financiare dhe për këtë arsye shtrohet e nevojshme që të kryhen ndryshimet në buxhet.  Ministri i Financave theksoi se do të rishikohet i gjithë kuadri makroekonomik dhe objektivat për vitin 2012. Sipas tij, ndryshimet do të bëhen në përputhje me zhvillimet në ekonominë globale, në ekonominë rajonale dhe për më tepër, në zhvillimet konkrete në ekonominë shqiptare. 

"Ekonomia shqiptare nuk është një ekonomi që zhvillohet në eter, është një ekonomi konkrete që operon në një rajon konkret. Ajo që duhet përshëndetur është dinamizmi më i lartë në krahasim me vendet e tjera. Kemi një rritje ekonomike pozitive kur dihet që deklarimet për ekonominë e eurozonës janë për vijimin e një rënieje ekonomike", tha ai.  Këto ndryshime pritet të përshtatin të ardhurat, shpenzimet si dhe nivelin e rritjes ekonomike sipas zhvillimeve që po ndodhin në mjedisin e jashtëm dhe të brendshëm. /Start/

                                                                                             2012-06-03 14:31
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›