E Shtunë, 31 Tetor 2026

Risitë e Kuvendit që erdhi

Fillimi i legjislaturës së re të Kuvendit në 9 shtator, shënon mbylljen e tranzicionit shqiptar. Rama, Meta, Basha, janë fi gura që në vitin e largët ‘91, ishin pjesëmarrës, por jo protagonistë. Besohet të sjellin ndryshim mentaliteti në qeverisje, shtensionim në marrëdhënie pozitë-opozitë, transparencë në administrimin e pasurisë publike, mungesë fodullëku në raport me zgjedhësit, shkurt, qasje perëndimore ndaj pushtetit. Të paktën shpresohet të ndodhë!
Kjo legjislaturë, ka risitë e saj. Skenografia e fundme e sallës, dëshmon guston e Jozefina Topallit dhe nevojën e një ligji që të penalizojë pushtetarët për mungesë shijeje.
Edi Rama votohet si kryeministër, - praktikisht njeriu më i fuqishëm i vendit. Pas çerekshekulli pjesëmarrje aktive në jetën publike dhe pesëmbëdhjetë si politikan aktiv, prek pemën e ndaluar dhe do të hajë frutin e saj. Këmbëngulja, më së fundi iu shpërblye. Kryeson një koalicion, çka e kondicionon në aplikimin e ideve, por njëkohësisht është mundësi e papasur më parë dhe pak njerëzve iu jepet. Sistemi, i mundëson sundim pothuaj absolut, të ngjashëm me një monark, në radhët e deputetëve dhe ministrave të tij.
Ilir Meta, ulet në karrigen e Kryetarit të Kuvendit, e paprovuar më përpara. Është pozicion që nuk i krijon kosto personale mbi mbarëvajtjen e qeverisjes, por duke pasur parasysh pronësinë mbi ministrat dhe deputetët e tij, do të jetë menaxheri real i ministrive që i takojnë. Njeriu që fati e bëri kryeministrin e dytë më të ri në historinë e vendit dhe e shpëtoi pa u zhdukur nga skena politike në vitin 2009, tani është ngulur përfundimisht në politikën shqiptare. Inati, këmbëngulja dhe nuhatja, janë karakteristikat e lundrimit të tij në politikë; kreativiteti elektoral në secilën fushatë, kanë qenë çelësi i mbijetesës. Me numrin e deputetëve, mund të ndryshojë fatin e qeverisë dhe krahun e balancës. Por është herët të fillojnë teoritë e komplotit. Ju duhen demokratikasve për të gëlltitur vitet e opozitarizmit, por realiteti do të jetë ndryshe.
Në këtë legjislaturë, demo-kratët paraqiten me klasë pjesërisht të re politike, dhe koktej kryetarë partish të servirur nga Berisha në listën e fundit. Kryetari Basha është jashtë Kuvendit, por kjo nuk është humbje e madhe. Politikat përcaktohen jashtë salle, ndërsa brenda saj, në pastë beteja, prania e Berishës është garanci se demokratët do të ketë një gjeneral të sprovuar. E vetmja e panjohur, është nëse Berisha vetë është i predispozuar për harxhim forcash. Më shumë se spektakël parlamentar, PD do të ketë nevojë të ruajë unitetin, dhe ky mendohet të jetë preokupimi kryesor i Berishës. Natyrisht, edhe të kontrollojë që rrëshqitja e tij drejt pensionit, të mos ketë të papritura nga pushteti i ri.
Nuk besohet të jetë gjë e re për mazhorancën gjendja se si do ta gjejë buxhetin. Askush nuk ka iluzione se arka e shtetit ka ndonjë grosh. Berisha bëri sa kishte në dorë, për t'ia lënë pasardhësit tokën e djegur. Do t'i shërbejë pas 9 shtatorit, për të akuzuar të majtën për mosmbajtjen e premtimeve.
Megjithëse premtimet e së majtës janë të mëdha, ato janë për katër vitet e ardhshme. E djathta do ia kërkojë realizimin që në 10 shtator. Kjo është pjesë e luftës politike. Ashtu siç e majta duhet ta ketë parasysh se është qeveri e zakonshme në situatë të jashtëzakonshme. Përveç arkës bosh, bota është në krizë, dhe dy fqinjët tanë, të zhyturit më thellë.
Dy udhëheqësit e koalicionit, kanë në karrierën e tyre, eksperiencën e administrimit të niveleve të larta, por kjo pak vlen në këtë situatë. Rama ka qeverisur në nivel lokal, gjë tjetër nga administrimi i shtetit; ndërsa Meta si kryeministër kur Shqipëria kishte më pak pretendime, Perëndimi më i vëmendshëm ndaj nesh, dhe shoqëria shqiptare më pak e rafinuar, sempliste, dhe pa këtë nivel informacioni. Përballë do të kenë një opozitë të vogël në numra, por numrat tek e djathta nuk kanë qenë kurrë të rëndësishëm për të bërë opozitë të fortë. Është një opozitë e fuqishme ekonomikisht, e cila, pavarësisht se luajti pabesisht me privatizime nën vlerë e pa skrupuj, borxhe të marra pa kriter, zgjedhje të ndershme nga halli kur u pa se nuk mund të ndryshohej trendi i votës, në aparencë po lë një vend me rritje të vogël ekonomike, dhe pa probleme në administrimin e zgjedhjeve të fundit. Përballë së majtës, nuk do të jetë opozita e '97-ës që e dorëzoi vendin të djegur, por një opozitë institucionale. Ndaj sloganet negativiste, pak do të kenë vlerë.
Tash, e majta ka timonin e shtetit. Ka ngritur spirancën në 9 shtator, dhe të gjithë po presim si do ta drejtojë, të vetëdijshëm se, po u mbyt anija, shkojmë të gjithë në abise, pa dallim ngjyrash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›