E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristani: Asgjësimi i fletëve nis më 10 janar

Ristani tha se KQZ i dha partive kohën e mjaftueshme të gjenin një kompromis mbi hetimin e tyre, por ato nuk gjetën dot mirëkuptimin.

“Besojmë se nga data 10 janar ne do ta mbyllim këtë fazë dhe pastaj do të vazhdojmë hapat me radhë, sipas një grafiku pune, i cili është miratuar më përpara për përgatitjen e zgjedhjeve. Me daljen e buxhetit do të fillojnë tenderimet për të krijuar infrastrukturën e zgjedhjeve dhe ngritja e komisioneve, sipas afateve që ka përcaktuar një mbledhje e mëparshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, deklaroi Ristani në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ai shtoi se politika ishte bërë pengesë për të djegur fletët e votimit në kohë ashtu sikurse e parashikon ligji dhe se KQZ-ja e shtyu vendimin për t’i dhënë kohë forcave politike që të gjenin konsensus. “Kam deklaruar që fundi i fletëve të votimit do të jetë ai që përcakton ligji, pra ato do të digjen. E shtymë këtë vendimmarrje pas daljes së dekretit të presidentit dhe, ashtu siç e kishim paralajmëruar, menjëherë mbasi doli dekreti i presidentit njoftuam një mbledhje të KQZ-së për të pastruar kutitë. Politika na kërkoi që ta shtynim këtë vendimmarrje në mënyrë që t’u jepnim atyre kohë të gjenin një konsensus. Unë votova kundër në atë mbledhje, sepse nuk ishte ligjore e gjitha. Duhej patjetër që ne të mbaronim punë dhe të mos vendoseshim në vështirësi të tilla, siç jemi, për shkak të kohës”, vijoi kreu i KQZ-së.

Teksa zgjedhjet lokale të 8 majit po afrojnë, Arben Ristani kërkon nga politika më shumë bashkëpunim dhe mbështetje ndaj administratës së zgjedhjeve për mbarëvajtjen e procesit të votimit. “Është fakt që menaxhimi i zgjedhjeve, për shkak të mënyrës se si është ndërtuar Kodi Zgjedhor, ka shumë vend për bashkëpunimin e partive. Në rast se ato nuk bashkëpunojnë, procesi do të ketë ngërçe, pasi partitë politike janë aktorë shumë të rëndësishëm ligjorë në menaxhimin zgjedhor. Unë shpresoj shumë që të jenë të ndërgjegjshëm dhe ta kuptojnë këtë gjë, dhe të na ndihmojnë me konsensusin e tyre në menaxhimin e zgjedhjeve që presim. Në rast se konflikti politik do të vazhdojë të ekzistojë, besoj që kjo do të reflektojë dhe në punën tonë, por ne do mundohemi t’i rrimë strikt ligjit dhe t’i bëjmë me sukses zgjedhjet”, vijoi ai. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-01-06 09:59
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›