E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Jo modelit të Koço Kokëdhimës

"Saranda, Delvina e Konispoli, meritojnë të përfaqësohen denjësisht në parlament, do të jem zëri tyre"

Kandidati për deputet i Partisë Demokra tike në qarkun e Vlorës Arben Ristani gjatë një interviste shpalos pikat kryesore të programit të tij për katër vitet e ardhshme në parlamentin shqiptarë. Ristani thekson faktin se, në tetë vite qeverisje nga e djathta, Saranda, Delvina, Konispoli dhe zonat për rreth tyre falë investimeve dhe punës së qeverisë kanë ndryshuar mjaft, por ai premton se këto investime dhe ky zhvillim do të vazhdojë edhe në të ardhmen për ta bërë Sarandën, Delvinën, Konispolin dhe çdo komunë e fshat edhe më të bukur. Ristani thotë se është investuar në infrastrukturë, në ujësjellës, kanalizime, bujqësi dhe sektorë të ndryshme dhe në katër vitet që vijnë këto investime do të trefishohen. Duke u ndalur tek akuzat e opozitës se në këtë qark nuk janë bërë investime, kandidati për deputet i PD, u shpreh se ato janë të pa vërteta dhe shpifjet e radhës së opozitës.

Prej disa javësh ju jeni vendosur në Sarandë në krye të fushatës elektorale. Si do ta vlerësonit periudhën e deritanishme të fushatës elektorale në Sarandë, Delvinë dhe në të gjithë qarkun?

PD-ja në përgjithësi e ka vlerësuar shumë fushatën elektorale dhe po punon në gjithë Shqipërinë për të vazhduar tu japim njerëzve mesazhin e punës dhe mesazhin e zgjedhjes së njeriut dhe grupimit politik më të mirë, i cili i shërben Shqipërisë. Në këtë mobilizim pune, unë që ditën e parë që jam caktuar si deputet i Qarkut të Vlorës, kam marrë nën përgjegjësinë time, bashkë me grupin tjetër të deputetëve sigurisht, në zonën e Sarandës dhe Delvinës. Jam vendosur këtu dhe ç'do ditë jam këtu duke u marrë me takime me njerëzit, me strukturat e partisë sigurisht në mënyrë që të përçojmë fjalën e mirë, fjalën e dashurisë, bashkëpunimit, fjalën e punës tek të gjithë njerëzit dhe që ti bindim ata që pa ekuivok të votojnë PD-në dhe numrin 44 në fletën e votimit

Keni deklaruar se do të jeni një avokat i ç'do qytetari në parlamentin shqiptar. Ju mendoni se Saranda ka nevojë për një përfaqësim më dinjitoz në vendimmarrje?

Sigurisht jo vetëm Saranda, por e gjithë Shqipëria dhe në veçanti kjo zonë meqë jemi këtu, se në këtë rast unë mbuloj Sarandën dhe Delvinën duke shkuar deri në Konispol dhe sigurisht që meritojnë të përfaqësohen denjësisht, sigurisht që meritojnë që jeta e tyre të jetë më e mirë, që mirëqenia të rritet, që punësimi të shtohet, që vendi të integrohet, që të thithin më shumë turistë, më shumë biznese, që të zhvillohet bujqësia, infrastruktura dhe për të gjitha këto unë jam i angazhuar, jam i përgjegjshëm, i ndërgjegjshëm që të punoj fort dhe të përfaqësoj denjësisht zonën në parlamentin shqiptar

Le të ndalemi tek dy qëndrime të opozitës. Pak ditë më parë zoti Rama në Vlorë deklaroi se nuk janë bërë investime në Qarkun e Vlorës. Cili është komenti juaj?

Për mua është jo vetëm e pavërtetë, por është në rrjedhën e cinizmit që opozita ka, në rrjedhën e nihilizmit që ajo ka për të bërë nul çdo gjë. Por së paku ne që jemi këtu në Sarandë mund ti shohim qartë se çfarë ndodh. Mjafton tu them se vetëm para pak kohësh donte mbi një orë për të vajtur deri në Ksamil. Sot jo vetëm që është një rrugë e mirë, e shtruar, por për të vazhduar edhe më tutje janë tre rrugë të shtruara që shkojnë deri në Konispol, që mua kur kam vajtur në Konispol më është dukur vërtetë një mrekulli e një zone aq e bukur, e cila kapet me rrugë nga tre drejtime të ndryshme. Po kështu është subvencionuar bujqësia në mënyrë të dukshme ku është një para i madh i investuar nga shteti në ndihmë të fermerëve për të zhvilluar bujqësinë. Dhe këto janë të prekshme, janë të dukshme, ku vetëm një nihilist, një njeri që mohon gjithçka mund të thotë se nuk ka investime. Por nga ana tjetër, sigurisht unë kam qenë edhe në Delvinë shumë herë. Ndjen njeriu një kënaqësi të veçantë kur shikon që edhe rrugët e brendshme të Delvinës janë të shtruara dhe njerëzit janë të qetë, përpiqen të rregullojnë jetën e tyre dhe sigurisht shteti ti ndihmojë. Pastaj mund të shikoni se Ksamili është një shembull shumë i mirë i punës që ka bërë Qeveria Demokratike jo vetëm me rrugët, por tashmë po shtrohen linjat e 20 kilovoltshit, i cili përfundon këto ditë dhe furnizimi me rrymën elektrike nuk do të jetë më një problem, por do të quhet një problem i zgjidhur. Po ju e dini që në Ksamil nuk ka patur ujë dhe sot ai është më pak problematik, e shumë investime në këtë zonë në ndriçim rrugor, shëtitore të reja buzë detit, legalizimet, privatizimet. Pra janë të gjitha punë të mbaruara të qeverisë shqiptare në shërbim të njerëzve.

Pak ditë më parë opozita ka deklaruar se do të vendosë rendin në Shqipëri për 300 ditë se rendi në Shqipëri ka probleme. Si zv/ministër i Brendshëm, cila është përgjigja juaj?

Ne po jetojmë këtu në Sarandë. Unë jo vetëm që nuk kam dëgjuar për kriminalitet, por edhe ju e gjithë qytetarët e Sarandës mund ta konfirmojnë që këtu rendi është i vendosur, që qetësia është në nivelet optimale të shoqërive të zhvilluara Evropiane. Kuptohet që lufta me krimin, është një luftë që nuk mbaron, domethënë që sa të ketë shoqëri njerëzore do të ketë edhe kriminalitet, por ne sigurisht përpiqemi ta mbajmë në nivelet më të ulëta dhe aktualisht sipas statistikave, shifrave, fakteve, por edhe atyre që ne vetë jetojmë, është e qartë që rendi në Shqipëri, por edhe në zonën e Sarandës, Delvinës e më tutje, është në një situatë fare normale, një situatë e qetë ku njerëzit nuk kanë probleme për jetën e tyre, për pronën e tyre, ku fëmijët shkojnë të qetë në shkolla dhe në të kundërt një politikë e cila e mohon këtë qetësi të rendit publik, për mua nxit më tepër elementin kriminal. Pra unë besoj që konstatime të tilla të pavërteta shkojnë në të kundërt të qëllimeve që ne duam të arrijmë

A keni ju një mesazh për qytetarët e Sarandës?

Mesazhi im do të jetë drejtuar qytetarëve të Sarandës, votuesve të Sarandës dhe Delvinës që të votojnë alternativën e punës, të votojnë atë që ata kanë konstatuar dhe parë. Të mos votojnë në mënyrë partizane siç e thashë, por të zgjedhin modelin e punës. Ne kemi treguar që jemi të tillë dhe një model përkushtimi ndaj njerëzve. E kemi kthyer Shqipërinë në 8 vitet tona qeverisje në një kantier ndërtimi dhe njerëzit nuk duhet ta heqin nga mendja që gjatë qeverisjes socialiste në pushtet, unë do ti ftoja se çfarë mbajnë mend nga ajo qeverisje, çfarë është bërë në Shqipëri nga ata. Pra duhet patjetër të mendohen mirë para se të votojnë. Të mos zgjedhin modelin e mos sinqeritetit dhe mashtrimit. Të mos zgjedhin modelin e Koço Kokëdhimës, që mori të ndërtonte rrugën nga Delvina në Muzinë dhe ju mund ta shihni çfarë është bërë aty. Jo modelin e njerëzve që ndërtuan pa leje dhe zunë ambientet qoftë sportive të fëmijëve, qoftë duke prishur mjedisin dhe ambientin, duke prishur pjesën turistike të vendit, jo modelin e atyre që rikonstruktuan shkollat dhe tavanet rrezikuan jetën e fëmijëve, pra ky është modeli që ofrohet nga pala tjetër. Jo modelin e konfliktualitetit që nga qendra deri në bazë. Ju mund ta pyesni kryetarin tuaj të bashkisë se çfarë marrëdhëniesh ka me liderin e opozitës, si u zhvillua ngjarja pas mitingut. Pra ky është një model që nuk duhet votuar. Ne do tu afrohemi njerëzve me dashuri, bashkim, punë, sepse vetëm kështu mund të risim mirëqeniendhetëjetojmë në Sarandën dhe Delvinën tonë të lumtur dhe të rrisim fëmijët tanë normalisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›