Ristani: KQZ e ka mbyllur komunikimin zyrtar me PS-në

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani deklaroi sot se "KQZ, përmes shkresave, e ka mbyllur komunikimin zyrtar me Partinë Socialiste për sjelljen e propozimeve për anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Ne me shkresa e kemi mbyllur komunikimin zyrtar me PS-në. Mungesa e përgjigjes është normalisht përgjigje negative", u shpreh kryetari Ristani, gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së ku u miratua konstituimi i pesë KZAZ-ve, që do të funksionojnë gjatë procesit elektoral të 15 nëntorit.
Kostoja financiare e zgjedhjeve të pjeshme do të jetë 9.6 mln lekë
Kostoja financiare e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 15 nëntorit parashikohet të jetë rreth 9.606.746 lekë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi paraditen e sotme strukturën e shpenzimeve buxhetore për këtë proces zgjedhor që do të mbahet në pesë njësi vendore në disa qarqe të vendit. Sipas vendimit, totali i shpenzimeve i detajuar sipas zërave parashikon shpenzimet për pagat e personelit të përkohshëm, shpërblimin për anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe Grupeve të Numurimit të Votave. Gjithashtu, në këtë buxhet përfshihen dhe shpenzime për materiale specifike, si për prodhimin e fletëve të votimit, të materialeve për shtypshkrime, shërbime transporti, udhëtime, dieta etj. Zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit do të mbahen në pesë njësi vendore të vendit, pas mbetjes vakante të postit të kryetarit të këtyre njësive, të cilët kanë fituar mandatin e deputetit në zgjedhjet e 28 qershorit.
...