E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Ngërçi politik do të zgjidhet”

Autori i Lajmit: Redaksia

Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me raportuesin për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, zotin Nikolaos Hountis, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë dhe shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për forcimin dhe mirëfunksionimin e demokracisë në Shqipëri, Presidenti i Republikës theksoi vullnetin për vazhdimin e reformave dhe arritjen e standardeve me synim përmbushjen e aspiratës së gjerë popullore për tu integruar në gjirin e familjes evropiane. Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit shqiptar bëri një përshkrim të situatës së përgjithshme në vend, ku vlerësoi rivendosjen e dialogut politik mes opozitës dhe mazhorancës dhe shprehu optimizmin për kapërcimin sa më të shpejtë të ngërçit politik. Presidenti Topi shprehu besimin se shumë shpejt do të mund të merren dy vendime të rëndësishme për vendin tonë, ai i hartimit të Opinionit të Komisionit Evropian dhe vendimit për marrjen e statusit të vendit kandidat, si dhe ai i përmbylljes me sukses të procesit të liberalizimit të vizave. Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit vuri në dukje angazhimin për përfundimin e dorëzimin në kohë të pyetësorit të BE-së, duke shprehur bindjen se të gjitha vendet e rajonit ballkanik do të bëhen pjesë, së shpejti, e Bashkimit Evropian. Presidenti i Republikës dhe europarlamentari grek, zoti Hountis, pasi vlerësuan si shumë të mira dhe miqësore marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndanë të njëjtin mendim se dialogu politik dhe konstruktiv mes vendeve ballkanike jep garanci për stabilitet dhe zhvillim ekonomik.

Ky lajm është publikuar: 31/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›