E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristani: QV-të pa komisionerë, po shkelen standardet

Kryetari i KQZ-së u bën thirrje partive të plotësojnë përbërjen e qendrave të votimit. Propozimet duhet të bëhen jo më vonë se 45 ditë para datës së zgjedhjeve


TIRANË - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë sinjalin "SOS" për rrezikun që i kanoset procesit zgjedhor nga mospërmbushja prej partive politike e detyrimit për paraqitjen e propozimeve për anëtarë të komisioneve të qendrave të votimit, i cili përcakton si limitin kohor, 45 ditë nga dita e votimit.


Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke shfrytëzuar praninë e medias gjatë mbledhjes së djeshme, ka informuar opinionin publik se zgjedhjet e ardhshme parlamentare rrezikojnë të mos përmbushin standardet e kërkuara, sepse subjektet politike, që kanë të drejtën të bëjnë propozime për anëtarë të komisioneve të qendrave të votimit, nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore, që përcakton Kodi Zgjedhor, për të paraqitur emrat pranë komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve.


Ai ka akuzuar forcat politike se kanë shkelur ligjin me të dyja "këmbët", duke vënë në këtë mënyrë në vështirësi KQZ-në, e cila është dhe institucioni qendror dhe përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve.


Një gjë e tillë, sipas Ristanit, pritet të ndikojë negativisht në proces ditën e votimit, pasi mosparaqitja e propozimeve për anëtarë ka bërë të pamundur dhe miratimin e tyre prej KZAZ-ve dhe, për rrjedhojë, do të bëjë që shumica e anëtarëve të KQV-ve të jenë të pa trajnuar. "Partitë politike nuk po kryejnë detyrimin ligjor për të çuar anëtarët e qendrave të votimit.


Nuk bëhet më fjalë për shkelje të ligjit, sepse e keni shkelur me të dyja këmbët, por ndërkohë na kanë dështuar dhe dy nga trajnimet e organizuara nga KQZ-ja. Duhet të keni parasysh se pa komisionerë të trajnuar, do të cenohen standardet", - tha Ristani, por pa dhënë të dhëna sesa ka arritur përqindja e numrit të propozimeve prej subjekteve zgjedhore, që u ka lindur e drejta të kenë anëtarë në këto komisione.


Nga një informacion që administrata dha para disa ditësh, ky proces kishte ecur me ritme shumë të ngadalta, duke mos arritur mesatarisht për të gjitha as në 35 për qind të propozimeve. Për këtë arsye, Ristani u ka bërë thirrje përfaqësuesve partiakë në KQZ, por edhe partive respektive, që të angazhohen totalisht për të përmbushur këtë detyrim, që s'e kanë zbatuar deri më tani.


"Merrni masa urgjente për të çuar sa më parë anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit", -tha më tej Ristani. Por, nga konsultimi me Kodin Zgjedhor, del qartë se edhe shqetësimi i Ristanit është tepër i vonuar, kjo sepse situata është me të vërtetë tepër kritike, pasi propozimet për anëtarë KQV-sh duhet të kishin përfunduar 45 ditë para datës së zgjedhjeve. Kështu, neni 36 i Kodit Zgjedhor përcakton se, "Propozimet për anëtarë dhe sekretarë të KQV-së bëhen jo më vonë se 45 ditë para datës së zgjedhjeve.


KZAZ-ja emëron anëtarët e KQV-ve jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e propozimeve, kur konstaton se propozimi është në përputhje me kërkesat e neneve 37 dhe 38 të këtij Kodi. Në çdo rast, emërimi i tyre bëhet jo më vonë se 20 ditë para datës së zgjedhjeve".


Nga një nen i tillë del qartë se partitë politike, por edhe KQZ-ja, që s'ka marrë masa, kanë shkelur tepër rëndë ligjin, pasi edhe 6 ditë para zgjedhjeve nuk janë bërë të gjitha propozimet, për të mos folur për emërimet e tyre prej KZAZ-ve.


Problemi i propozimeve për anëtarë të KQV-ve është një tjetër rrezik që i kanoset procesit të zgjedhjeve, pas atij që ka të bëjë me vendndodhjen e QV-ve dhe për të cilin forcat politike dhe anëtarët e KQZ-së kanë debatuar fort edhe gjatë mbledhjes së djeshme.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›