Rrethimi i KQZ-së, tension e përplasje mes deputetëve e policisë
Tiranë- Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara ka tensionuar situatën jashtë ambienteve të KQZ-së, ku ishin mbledhur mbështetës të shumtë të Partisë Socialiste dhe deputetët e kësaj force. Mbështetësit e PS-së, të ardhur edhe nga qytete të ndryshme të vendit, janë vendosur rreth godinës në orët e para të mëngjesit. Në orën 09:30 atyre u janë bashkuar edhe deputetët e PS-së, të cilët, ndryshe nga një ditë më parë, nuk u lejuan të hynin në ambientet e KQZ-së. Kordonë me punonjës të policisë nga 6 komisariatet dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë apo ato të RENEA-s kishin blinduar ndërkohë pikat kyçe të këtij institucioni. FNSH-ja ishte vendosur në derën kryesore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa forcat RENEA qëndrojnë të tërhequra në lulishten mes “Pallatit të Kongreseve” dhe hotelit “Rogner”. Përtej dy barrikadave të krijuara, situata ishte e qetë deri në momentin kur në ambientet e brendshme të KQZ-së nisi mbledhja e paralajmëruar. Në këto momente, deputetët e Partisë Socialiste kanë tentuar të hyjnë brenda këtij institucioni, por nuk janë lejuar nga ana e forcave të shumta të policisë, të cilat ishin vendosur përgjatë gjithë murit rrethues të “Pallatit të Kongreseve”. Mes debateve të shumta të deputetëve dhe drejtuesve të Policisë së Tiranës, këta të fundit kanë paraqitur një vendim të marrë nga KQZ-ja, sipas të cilit nuk lejoheshin të hynin brenda deputetët e kësaj force politike. Por përfaqësuesit e PS-së e kanë kundërshtuar ashpër ndalimin e tyre për të hyrë në KQZ, duke e quajtur një shkelje të Kushtetutës veprimin që po kryhej nga ana e efektivëve të policisë. Por qetësia e minutave të parë u përmbys në momentin kur deputetët e Partisë Socialiste tentuan të kalonin gardhin rrethues për të hyrë në ambientet e brendshme të oborrit të KQZ-së. Në këto çaste, forcat e policisë u përpoqën të ndalonin hyrjen e tyre, por shtytja e ardhur nga turma bëri të mundur që një pjesë e deputetëve të kapërcenin pa vështirësi kordonin e policëve, ndërsa një pjesë tjetër, si Paulin Sterkaj, Armando Subashi e Sajmir Tahiri u rrëzuan përtokë, në momentin që po kalonin gardhin rrethues, duke marrë plagë të lehta në trup. Bashkë me deputetët, të njëjtin kapërcim tentuan ta bënin edhe disa mbështetës të PS-së, por u ndaluan nga efektivët e policisë. Madje, pati dhe nga ata policë, të cilët mbetën të lënduar si pasojë e konfrontimit me personat që tentonin të hynin brenda gardhit rrethues. Për këto konfrontime, Policia e Tiranës, me anë të një njoftimi për shtyp tha se “Pas grumbullimit para ndërtesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një grup personash po ushtrojnë dhunë ndaj strukturave të policisë. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur identifikimin e këtij grupi personash, pjesa më e madhe e të cilëve ka rezultuar të jenë punonjës të Policisë Bashkiake”. Tentativat e vazhdueshme të njerëzve që ishin mbledhur jashtë KQZ-së, për të thyer rrethimin e forcave të policisë, ndaluan në momentin kur të gjithë deputetët e Partisë Socialiste arritën të hynin në oborrin e këtij institucioni. Por edhe pas kësaj, deputetët tentuan të kalonin rrethimin e dytë, për të hyrë brenda sallës së mbledhjeve të KQZ-së, por misioni u duk i pamundur, pasi përballë ishin Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Pas një sërë tentativash, deputetët socialistë u tërhoqën nga plani i tyre dhe pritën në oborr vendimet që po merreshin në mbledhjen e KQZ-së. Situata u qetësua gradualisht deri në momentin kur nga brenda sallës u mor njoftimi se KQZ-ja kishte vendosur të niste numërimin e votave të kontestuara. Menjëherë pas kësaj, deputeti socialist Fatmir Xhafaj u bëri thirrje të gjithë njerëzve të vinin për të mbrojtur votat, pasi kishin dështuar të gjitha rrugët demokratike. Pas kësaj deklarate, deputetët dhe mbështetësit e Partisë Socialiste u larguan nga KQZ-ja për t’u mbledhur sërish pranë godinës së PS-së. Për një marshim të dytë drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku “barrikadat” e policëve dhe deputetëve kanë qëndruar përballë njëri-tjetrin deri në orët e mbrëmjes.