Simpatizantët e PS te KQZ: Do mblidhemi sërish në mëngjes
Kanë qëndruar deri rreth orës 21:00, shumica e simpatizantëve socialistë, të mbledhur rreth Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjatë orëve të pasdites, deputetë socialistë dhe drejtues të kësaj partie si dhe zyrtarë të Bashkisë së Tiranës kanë qëndruar në lokalet përreth stadiumit “Qemal Stafa”, ndërsa qindra militantë prisnin para kordonit të policisë, në këmbë, duke ndjekur pas gardhit rrethues mbledhjen e KQZ-së. Ndonëse moti rezervoi edhe një rrebesh të fortë breshëri, kjo solli veç dyndjen në lokale të militantëve socialistë, për të dalë para kangjellave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, porsa shiu mbaroi. Deklarata e dhënë dje në drekë nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, si edhe më vonë nga lideri socialist Edi Rama, duket se ka shtuar më tej shqetësimin e simpatizantëve socialistë, të mbledhur para KQZ-së, të cilët komentonin rëndom mes tyre impaktin e këtyre deklaratave për ditët në vazhdim. Rreth orës 21:00 të mbrëmjes, edhe deputetët socialistë pranë KQZ-së vendosën të largoheshin njëri pas tjetrit, për t’i lënë radhën një tjetër organizimi që do të zhvillohet sot para kangjellave të KQZ-së. I gjithë perimetri që prej Pallatit të Kongreseve e deri te stadiumi “Qemal Stafa” ka qenë i blinduar nga forca të shumta dhe të pazakonta policie, ndërsa mbrëmë rreth orës 20:30 përpara godinës ku është vendosur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u dislokuan dhe forcat speciale RENEA, të cilat kanë qëndruar aty të paktën deri rreth orës 22:00 të mbrëmjes, kur edhe u duk se nuk kishte asnjë rrezik për tension, për shkak të largimit të simpatizantëve të Partisë Socialiste.