Rivaliteti për një femër, atentat komandos së Zall Herrit
Xhelozia ka qenë shkaku që ka vënë në shënjestër një ushtar profesionist. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së martës, kur Nertil Prifti, ushtar në Zall Herr në Tiranë, është qëlluar nga një 30-vjeçar teksa udhëtonte me makinën e tij. Ushtari profesionist ka mbetur i plagosur në krahun e majtë, ndërsa ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Qafëzes të Rrethit të Kolonjës. Policia lokale bën të ditur se ushtarit i ishte ngritur pritë në rrugë nga 30-vjeçari Gjergji Murati. Autori i pajisur me një automatik i ka zënë pritë 23-vjeçarit tek ura e Qafëzezit dhe ka qëlluar nga një mjet fuoristradë me armë në drejtim të mjetit tip “Golf”, me të cilin udhëtonte oficeri i ri. Murati ka qëlluar disa herë, por vetëm një plumb e ka kapur në krahun e majtë 23 vjeçarin Prifti. Polica që filloi hetimet për ngjarjen, tha se ushtari ka mbetur i plagosur pas një konflikti që ka pasur në origjinë grindjet për një femër, duke provokuar hakmarrjen e 30-vjeçarit Gjergji Murati. Ky i fundit, duke kontrolluar lëvizjet e ushtarit profesionist që po qarkullonte me makinë, i ka zënë pritë në orët e natës për ta vrarë, por i ka shkaktuar vetëm plagosje të lehtë 23-vjeçarit. Policia ka arritur të identifikojë autorin e ngjarjes pas marrjes në pyetje të ushtarit të plagosur, dhe ka mundur ta prangosë atë pak orë më pas.
#