Korçë, gjykata nxjerr nga qelia të arrestuarit për korrupsion
Gjykata e Korçës ka lënë të lirë dy zyrtarët e institucioneve të drejtësisë, të arrestuar për korrupsion pasiv. Arben Hoxha, shefi i personelit të burgut të sigurisë së lartë dhe Shkëlqim Kajmaku, kancelari i Gjykatës së Rrethit, kanë marrë masën e arrestit shtëpiak. Ata u arrestuan tri ditë më parë ndërsa u kapën në flagrancë, duke i marrë shtetasit K. Kafexhiu një shumë prej 500 mijë lekësh, në këmbim të një urdhër-ekzekutimi të lëshuar nga gjykata që do t’i kalonte Zyrës së Përmbarimit.
Trupi gjykues e ka konsideruar arrestimin të ligjshëm të shefit të personelit të burgut, të cilit i janë gjetur paratë kur ka bërë rolin e ndërmjetësit për nxjerrjen e vendimit, por nisur nga fakti se i pandehuri nuk përbën rrezikshmëri shoqërore dhe vepra penale dënohet më pak se pesë vjet heqje lirie, ai është lënë në arrest shtëpie.
Ndërkohë, për kancelarin e gjykatës, Shkëlqim Kajmaku, i cili është lënë i lirë, trupi gjykues e ka konsideruar të paligjshëm arrestimin, pasi ai dispononte dokumente, të cilat ishin nxjerrë në mënyrë të rregullt nga institucioni dhe nuk është provuar vepra penale e korrupsionit dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
Seancat për vlerësimin e masës së arrestit janë zhvilluar veç e veç dje në Gjykatën e Shkallës së Parë të Korçës. I pari që u paraqit me vlerësim mase sigurie në gjykatë ishte shefi i personelit të burgut të Drenovës, Arben Hoxha. Avokati i tij mbrojtës, që në fillim të seancës, i kërkoi gjykatës të merrej parasysh kërkesa për lënien e tij të lirë, kundrejt një garancie pasurore nga ana e vëllait të të pandehurit, kërkesë kjo që u refuzua. Sipas prokurorit të çështjes, Elisjon Sadiku, shtetasi Kristaq Kafexhiu ka pasur prej kohësh një konflikt pronësie ndërkohë që kishte lidhur edhe kontratë për një shumë që duhej të përfitonte prej 60 milionë lekësh të reja. Ndërsa ka marrë si këst paraprak shumën prej 10 milionë lekësh, Kafexhiut nuk i është dorëzuar pjesa më e madhe prej 50 milionë lekësh, e cila duhej t’i jepej atij deri në datën 11 qershor 2010. Prokurori shtoi se Kafexhiu ka kërkuar ndihmën e shefit të personelit të burgut për të lehtësuar pozitat e tij në këtë konflikt, falë njohjes që kishte me të dhe në këtë rast, Arben Hoxha ka shërbyer si ndërmjetës me kancelarin e gjykatës. Kafexhiut i është kërkuar sipas prokurorit një shpërblim prej 300 mijë lekësh për ta ndihmuar, ndërsa ky ka premtuar 500 mijë lekë dhe këto sipas akuzës bazohen në përgjimet e kryera. Por nga materialet, gjykata ka konkluduar se nuk është provuar kjo kërkesë. Policia kapi në flagrancë shefin e personelit të burgut, duke marrë paratë, ndërsa siguroi si prova edhe dokumente që kërkoheshin nga i interesuari Kafexhiu, i cili bashkëpunoi me policinë. Ndërsa Arben Hoxhës iu gjet shuma e parave, kancelarit Shkëlqim Kajmaku iu gjetën dokumentet e lëshuara nga gjykata, të cilat kanë rezultuar të rregullta. Për këtë, trupi gjykues i kryesuar nga Miljana Muça, e ka vlerësuar arrestimin e tij të paligjshëm, duke i dhënë lirimin.
#