Diplomatët e huaj rikthejnë Antiterrorin
Teksa e gjithë bota mundohet të zgjerojë strukturat e antiterrorit, Shqipëria kërkoi t’i zvogëlojë. Kështu janë shprehur trupat diplomatike në Shqipëri në një notë këshilluese për policinë shqiptare, kur janë vënë në dijeni se ajo po mundohet që seksionet e kundër akteve terroriste donte t’i shkrinte për t’i kaluar në varësi të seksioneve të tjera. Por, ndërhyrja e selive diplomatike në vendin tonë e ka hedhur poshtë këtë projekt. Rreth dy muaj më parë, në policinë shqiptare filloi shqyrtimi i zvogëlimit të sektorëve dhe seksioneve përkatëse kundër akteve terroriste. Duke bërë një analizë të ngjarjeve kriminale, policia shqiptare konkludoi se në vendin tonë nuk ka pasur akte të mirëfillta terroriste, por raste sporadike, që plotësisht janë kryer për shkak të konflikteve të ndryshme mes palëve dhe janë trajtuar nga krimi kundër personit. Sipas të dhënave policore, akte terroriste janë kryer për eliminimin e rivalëve dhe trajtoheshin nga seksionet përkatëse të qarkut, të specializuara në luftën kundër krimit ndaj jetës. Siç dihet, në strukturën e policisë shqiptare ka një sektor kundër akteve terroriste dhe më pas vijnë seksionet. Pikërisht në Drejtorinë Kundër Krimeve të Rënda, në departamentin e hetimit të krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme, është sektori kundër akteve terroriste. Ndërsa në çdo drejtori qarku janë sektorët kundër krimeve të rënda, brenda të cilëve ndodhet seksioni kundër akteve terroriste. Këto seksione, sipas propozimeve, do të shkriheshin dhe aktet terroriste do të ndiqeshin nga seksioni kundër krimit ndaj jetës dhe shëndetit. Përfaqësitë diplomatike në vendin tonë, kur u vunë në dijeni të një fakti të tillë, kërkuan urgjentisht rivlerësimin e situatës. Sipas të dhënave, ata i kanë kërkuar shtetit shqiptar mos të kryejë një veprim të tillë për shkak të rrezikut të lartë. Sipas tyre, të gjitha vendet po tentojnë të shtojnë sektorët dhe seksionet përkatëse kundër akteve terroriste, duke i forcuar ato edhe më shumë për shkak të kërcënime të njëpasnjëshme që mund të vijnë në të ardhmen. Por, sipas tyre, meqë Shqipëria nuk ka pasur asnjë rast flagrant, kjo nuk do të thotë se sektorë të tillë nuk janë të nevojshëm. Kështu, ata kanë kërkuar që të paktën të mbeten siç janë dhe mos të shkrihen me sektorë të tjerë, të cilët nuk kanë natyrë të njëjtë pune. Kjo këshillë duket se është marrë parasysh dhe një shkrirje e tillë nuk është realizuar, ku kanë mbetur pa u lëvizur seksionet përkatëse në çdo drejtori qarku. Madje, edhe ndryshimet e fundit në polici që kanë prekur shumë drejtori e sektorë, nuk i ka prekur seksionet kundër akteve terroriste edhe për shkak të specializimeve përkatëse që kanë marrë oficerët me detyrë të tillë. Burimet policore shpjegojnë se shumë prej oficerëve që mbajnë funksione të tilla janë specializuar me ekipet më të mira jashtë vendit për luftën kundër akteve terroriste.
#