E Diel, 1 Nëntor 2026

Një grup gjyqtarësh peticion Top Channel në mbrojtje të Bendos

Deklarata

Një pjesë e gjyqtarëve të gjykatës së Tiranës kanë firmosur dje një deklaratë, ku kërkojnë të mos denigrohet figura e gjyqtarëve të kësaj gjykate nga televizioni Top Channel, pa dhënë asnjë argument se në cilin rast Top Channel ka denigruar figurën e tyre. Në deklaratën e lexuar nga gjyqtarja Fida Osmani thuhet se, Top Channel po pengon gjyqtarët e gjykatës së Tiranës të japin drejtësinë, edhe pse asnjë prej këtyre gjyqtarëve nuk mund të vërtetojë deri më tani se ku ka cenuar të drejtën e ushtrimit të drejtësisë Top Channel ndonjëherë. “Gjyqtarët e Tiranës i kërkojnë Top Channel që të ndërpresë veprimet ndaj gjyqtarëve që po gjykojnë këtë çështje. Top Channel po pengon gjyqtarët në përmbushjen e misionit të tyre, që është vendosja e drejtësisë”, ka deklaruar gjyqtarja Fida Osmani. Edhe pse në cilësinë e gjyqtares më të vjetër të kësaj gjykate, nuk lexoi në asnjë pjesë të deklaratës së saj se kur ka hasur gjatë përvojës së gjatë si gjyqtare një rast kur Top Channel ka cenuar të drejtat e gjyqtarëve. Por në këtë deklaratë, nga shpejtësia e reagimit, gjyqtarët qe e hartuan nuk sollën asnjë provë se kur Top Channel ka denigruar të gjithë gjyqtarët e gjykatës së Tiranës, që për hir të së vërtetës nuk kanë qenë të gjithë dakord me këtë deklaratë. Deklarata është firmosur afërsisht nga një e treta e kësaj gjykate dhe në të thuhet se, ky është vendim i të gjithë trupës gjyqësore të Tiranës.

Në fund të deklaratës gjyqtarët janë shprehur se, Top Channel duhet t’i drejtohet Gjykatës se Apelit për të kundërshtuar vendimin e padrejtë të dhënë nga gjykatësi Bendo.

“Ne nuk gjykojmë vendimin, ne gjykojmë fushatën ndaj trupës gjyqësore, që është duke na cenuar në dinjitetin tonë”, ka theksuar gjyqtarja Osmani.

Ajo që të bie në sy në deklaratën e gjyqtarëve është fakti, se pesë prej firmëtarëve kanë filluar punën si të tillë vetëm përpara një muaji. 14 të tjerë kanë marrë masat e vërejtjeve të rënda nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›