Ushtarët me pagesë, kriteret dhe procedurat e pranimit
Rekrutimi i të rinjve nisi rreth dy vjet më parë dhe tashmë aplikantët e parë kanë përfunduar procedurat e pranimit, stërvitjes dhe janë gati për të hyrë në ushtrinë profesioniste të Republikës së Shqipërisë. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Ministria e Mbrojtjes dhe Qendra e Rekrutim- Mobilizimit në Tiranë filloi menjëherë mbledhjen e ushtarëve, duke përhapur njoftime për ftesë të të gjithë të interesuarve. Gjithçka u bë e mundur në bazë të ndjekjes së procedurave ligjore në zbatim të Ligjit, Nr. 9171, datë 22.1. 2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Republikën e Shqipërisë”, udhëzim i Ministrisë së Mbrojtjes Nr. 2, datë 12.2.2008, për përgjegjësitë, procedurat dhe mënyrat e rekrutimit të ushtarëve profesionistë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Për t’u bërë pjesë e ushtrisë janë përcaktuar disa kategori dhe kritere që do të përzgjedhin kandidatët. Disa nga kriteret për pranimin e kandidatëve janë mosha, arsimi dhe aftësitë. Në këtë përfshirje nuk përjashtohen femrat ushtare, përveç meshkujve.
Dokumentet
Për të mbledhur ushtarët me pagesë janë vendosur njoftime në disa institucione, me anë të të cilave kërkohet që të vihen në dijeni të rinjtë e interesuar. Ndërkohë, ata që kërkojnë të aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë Qendrës së Rekrutim – Mobilizimit në Tiranë. Kandidatët për ushtarë profesionistë duhet të paraqesin pranë kësaj qendre 9 dokumente. Këto dokumente janë: vërtetim nga gjykata, vërtetim nga prokuroria, certifikatë personale me fotografi, certifikatë familjare, certifikatë mjekësore e Spitalit Ushtarak, dëftesë e shkollës së mesme ose të lartë (fotokopje e noterizuar), dokumentacione të tjera kualifikimesh të noterizuara, kërkesë personale dhe dy fotografi (9x12). Ndërsa ata që nuk e kanë kryer ushtrinë dhe do të jenë ushtarë aktivë, kurse pas 5 javëve do të jenë ushtarë profesionistë, do të kryejnë vizitat mjekësore në Qendrën e Rekrutim - Mobilizimit.
Kriteret
Kriteret e përcaktuara nga Ministria e Mbrojtjes do të jenë bazë në pranimin e ushtarëve që do të pozicionohen në forcat e ushtrisë në profile të ndryshme. Kështu, do të pranohen ushtarë të gjithë shtetasit e moshës 19 deri në 30 vjeç, që janë të aftë për t’u bërë pjesë e ushtrisë. Të gjithë kandidatët duhet të kenë minimalisht arsimin e mesëm dhe detyrimisht ata që kanë arsimin e lartë dhe kanë dëshirë të rekrutohen ushtarë profesionistë me pagesë për të shërbyer në njësitë e repartet prioritare të FA të RSH-së. Kandidatët që kanë mbaruar një fakultet kanë më tepër përparësi për t’u pozicionuar në një post në ushtri. Kandidatët duhet të paraqiten në Qendrën e Rekrutim - Mobilizimit në Tiranë, për të bërë aplikimin dhe më pas përzgjedhjen e tyre. Po kështu, kriter kryesor është edhe gjatësia, ku aplikantët duhet të kenë një gjatësi mbi 1 metër e 62 centimetra. Të gjithë ata persona që nuk e kanë kryer ushtrinë dhe që janë të moshës 19-26 vjeç dhe aplikojnë për ushtarë profesionist, do t’i nënshtrohen 5 javëve stërvitje, e cila do t’iu njihet si kryerje e ushtrisë së detyruar dhe do të njihen si ushtarak aktiv. Pas kësaj ata do të fillojnë të jenë në punë si pjesë e ushtrisë profesioniste shqiptare në pozicione të ndryshme. Ndërsa ata kandidatë që kanë kryer ushtrinë, detyrimisht do t’i nënshtrohen testimit dhe do të bëjnë 5 javë stërvitje, por do të njihen normalisht si ushtarë profesionist. Po kështu edhe për femrat, të cilat domosdoshmërisht do të kryejnë 5 javët e shërbimit bazë.
Strategjia për rritjen e pagave të ushtarakëve
Ministria e Mbrojtjes, në fund të vitit 2007, ngriti një grup pune ku me konsultimin e kompanisë amerikane “KUBIK” kanë miratuar një draft për rishikimin e pagave të ushtarakëve. Burime pranë kësaj ministrie pohuan se prioritare është shtesa mbi pagë për vështirësi shërbimi dhe rrezik jete. Por, natyrisht që një rëndësi të madhe u është kushtuar dhe pagesës bruto të çdo ushtaraku që do të vazhdojë të qëndrojë në ushtri me gjithë reformat që pritet të kryhen gjatë viteve në vazhdim. Drafti tashmë e ka marrë miratimin nga specialistët dhe drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes si dhe ka kaluar dhe në sitën e ekspertëve të Ministrisë së Financave. Madje realizmi i tij ka marrë dhe formë më konkrete kur është parashikuar dhe në buxhetin e këtij viti të gjitha ndryshimet mbi pagesën. Ndërkaq mësohet se specialistë të Mbrojtjes tashmë kanë marrë një tjetër detyrë, atë të përpilimit të strategjisë së rekrutimit të ushtarëve profesionistë. Paraprakisht është menduar se një nismë me rëndësi është propaganda që do t’i kushtohet kësaj çështjeje. Për specialistët është shumë e rëndësishme që japin informacionin e duhur për rinjtë shqiptarë për t’i njohur ata me të gjithë informacionin mbi ushtrinë profesioniste. ǒtë mira financiare do të sjellë për gjithsecilin prej tyre që do të marrin vendimin të jenë ushtarë profesionistë. Stërvitja do të bëhet në tri faza, ku do të zgjidhen profesionistët. Ata fillimisht do të shpërndahen në qendrat e stërvitjes. Stërvitja është menduar në tri faza, për t’i dhënë kohë përgatitjes dhe çlodhjes trupës komanduese.
Formulari
Pas dorëzimit të dokumentacionit të plotë, kandidatët do të plotësojnë formularin e aplikimit. Në këtë formular janë të përfshira të gjitha të dhënat e kandidatit, si dhe pozicionet e punës ku dëshiron të punojë aplikanti. Më pas, në bazë të nevojave për profesionistë në profile të ndryshme që ka ushtria, bëhet përzgjedhja e aplikantëve në një pozicion pune. Formulari dorëzohet brenda një date të caktuar, pasi në datën 20 të çdo muaji bëhet testimi fizik dhe psikologjik (i përgjithshëm). Ata që përzgjidhen i nënshtrohen 5 javë stërvitje dhe në Bonavi në qytetin e Vlorës, pa pagesë. Ndërsa pas mbarimit të stërvitjes paraprake, fillojnë efektet financiare.
Kriteret
Mosha 19 deri në 30 vjeç
arsimi i mesëm ose i lartë
Pagesa 35 mijë lekë
Pranimet femra dhe meshkuj
Numri
Total 3600 ushtarë
Femra 460
Meshkuj 3140
Ku do të punësohen
Sipas njoftimit të nxjerrë nga Qendra e Rekrutim Mobilizimit:
Punësimi i shtetasve kërkohet në Brigadën e Reagimit të shpejtë në Zall-Herr
Brigadën e Mbrojtjes Rajonale Tiranë
Në Policinë Ushtarake Sauk
Komanda Mbështetëse Tiranë
Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes Tiranë
Brigada e Logjistikës Tiranë
Në Brigadën e Xhenios Tiranë
Dokumentacioni
Vërtetim nga gjykata
Vërtetim nga prokuroria
Certifikatë personale me fotografi
Certifikatë familjare
Certifikatë mjekësore e Spitalit Ushtarak
Dëftesë e shkollës së mesme ose të lartë (fotokopje e noterizuar)
Dokumentacione të tjera kualifikimesh të noterizuara
Kërkesë personale dhe dy fotografi (9x12).
25 Dhjetor 2009