E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Ferideja kthehet në qeli, për të vuajtur dënimin



Feride Bako, e moshuara 75-vjeçare e dënuar për kultivim të lëndëve narkotike, është kthyer sërish në qeli, pas “pesë ditëve pushim” të kaluara në shtëpinë e saj. Drejtoria e Burgjeve e kishte lejuar 75-vjeçaren që të shkonte në shtëpinë e saj për festat e Vitit të Ri.

Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Fierit, e moshuara që ka kaluar nëntë muaj dënim në burgun 325 në Tiranë, ka për të kaluar edhe pesë vjet të tjera heqje lirie, sipas një vendimi të dhënë nga Gjykata e Fierit, ku ajo dënohej në mungesë për akuzën e kultivimit të hashashit.

Feride Bako u arrestua në prill të 2008-s, kur po i qëndronte pranë në ditët e fundit të jetës bashkëshortit të saj të paralizuar. Ajo rezulton kujdestare për rritjen e dy nipave të saj, pas vrasjes të të birit në Greqi.

Megjithatë, e moshuara u rikthye sërish në qeli për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata, ndërkohë që dënimi i saj ka ngjallur debat, ku është përfshirë edhe politika.

Berat, policia zbulon lëndë luftarake të fshehura buzë lumit

Policia e Beratit zbuloi ditën e djeshme lëndë luftarake, të cilat ishin fshehur buzë lumit Lapardhicë. Kështu nga uniformat blu u gjetën 20 predha të kalibrit të artilerisë së rëndë antitank në fshatin Lapardha. Sektori i krimit në policinë e Beratit gjeti këtë sasi municioni në mesditën e ditës së djeshme, si edhe 50 arka me 760 copë fishekë secila. Sipas burimeve të policisë, mësohet se zbulimi u bë i mundur pas një informacioni anonim, ndërsa nuk dihen ende se kush janë poseduesit e një sasie të tillë lënde luftarake. Predhat antitank dhe fishekët të tipit automatik model 56, ishin të fshehura në breg të lumit dhe dyshohet se kanë qëndruar aty që nga viti 1997, kohë e hapjes së depove të armëve. Policia po heton për të gjetur personat, të cilët i kanë fshehur ato.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›