E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: Qeveria të lejojë hetimin të zgjedhjeve, të pranojë dialogun



Kur ka kaluar 1 vit nga mbajtja e zgjedhjeve të 28 qershorit e kur maxhoranca dhe opozita ende nuk kanë gjetur kompromisin, nënkryetari i Kuvendit njëherësh deputeti i PS-së, Namik Dokle, tha dje se përgjegjësia kryesore mbetet e Qeverisë. Në një deklaratë për mediat, Dokle tha se “sot mbushet një vit nga dita kur u konsumua krimi elektoral dhe maxhoranca vazhdon të mos pranojë hetimin, Kryeministri dhe Qeveria e tij vazhdojnë të shkelin parimin kushtetues të transparencës”. Dokle e cilësoi Qeverisë si të shurdhët ndaj kërkesave të opozitës për transparencë, ndërsa shtoi se rezoluta e fundit e miratuar në Parlamentin Europian kërkon që të bëhet transparencë e zgjedhje të 28 qershorit. “Europa kërkon konsensus, opozita ka bërë hapa të jashtëzakonshëm drejt konsensusit, duke vlerësuar mbi të gjitha interesat e vendit, por Qeveria vazhdon të mbajë peng votën e lirë në kutitë e mbyllura! Europa dhe opozita kërkojnë parimin kushtetues të transparencës, ndërsa Qeveria dhe Kryeministri i saj mashtrojnë me gjoja vendime gjykatash, që nuk ekzistojnë asgjëkund dhe nuk mund të pengojnë asnjëherë transparencën”, deklaroi më tej nënkryetari i Kuvendit, Dokle. Ai tha më tej se opozita është e gatshme për kompromis, por një gjë e tillë nuk po ndodh nga ana e Qeverisë. Dokle i bëri thirrje Qeverisë e Kryeministrit Berisha që në emër të PS-së dhe opozitës të lejojë transparencën e zgjedhjeve të kaluara. “I bëjmë thirrje Qeverisë të heq dorë nga kokëfortësia dhe imponimi ndaj një populli të lirë e të gatshëm të sakrifikojë për lirinë! I bëjmë thirrje Qeverisë dhe Kryeministrit të saj të heqë dorë nga mashtrimi dhe të pranojë transparencën, të heqë dorë nga diktati dhe të pranojë dialogun, të heqë dorë nga shpërdorimi i pushtetit dhe të respektojë shtetin e së drejtës. Kjo do të ishte axhenda e përbashkët europiane për të gjitha forcat politike, për të gjithë shqiptarët”, vijoi Dokle në fjalën e tij. Nënkryetari i Kuvendit tha më tej se, ekonomia shqiptare është në vështirësi, Parlamenti është në ngërç të vazhdueshëm, ndërsa institucionet e së drejtës janë nën litarin e Qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›