E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria blen 25 milionë euro nga bankat



Qeveria ka arritur të shesë 25 milionë euro, në formën e bonove të thesarit, me një normë interesi mesatare prej 6.05 për qind. Bono e parë euro, është blerë nga bankat vendëse dhe individët apo kompanitë e tjera jo konkurruese. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, oferta e bankave për bonon në euro arriti në 32.9 milionë euro. Kjo ishte edhe kërkesa gjatë ankandit. Norma më e lartë e interesit të kërkuar ishte 8 për qind, ndërsa ajo minimale, 5.58 për qind. Nga të gjitha ofertat u pranuan 23,37 milionë euro nga bankat e nivelit të dytë, dhe 1.63 milionë euro nga individët dhe kërkuesit e tjerë jo banka. Sipas të dhënave të ankandit, norma mesatare e interesit që do paguajë Qeveria për 25 milionë eurot është 6.05 për qind. Oferta më e lartë e pranuar në ankand arriti një normë interesi prej 6.19 për qind, ndërsa më e ulëta 5.58 për qind. Nga të dhënat e mësipërme, duket se Qeveria ka gjetur momentin më të përshtatshëm për të kryer transaksionin. Në ndryshim nga tregjet ndërkombëtare, duket se interesi i eurove, të marra nga bankat vendase është shumë më i leverdisshëm. Borxhi në euro që mori dje Qeveria ka një afat maturimi prej 9 muajsh, pra është i shpejtë, dhe kjo normë interesi mund të duket pak e lartë. Por, në krahasim me normat e interesit të eurobondit, në këtë moment duket se është e leverdishme. Vetëm disa javë më parë, Qeveria pasi dështoi në blerjen e 400 milionë eurove në tregjet ndërkombëtare, vendosi të shtojë normën tavan të interesit të eurobondit, nga 7.5 për qind, në 8.5 për qind. Por, edhe me këtë shtesë të fortë, prej 1 për qind, ajo nuk arriti të gjente tregje për të blerë shumën e kërkuar. Të dhëna nga financat, tregojnë se situata e borxheve të qeverive europiane, e ka vështirësuar shitjen e eurobondit shqiptar. Kjo amulli në tregje ka bërë që edhe norma e interesit prej 8.5 për qind, të jetë shumë e vogël për investitorët. Kjo ka qenë arsyeja, që Qeveria e etur për euro t'i drejtohet tregjeve vendase, pra bankave të nivelit të dytë, për të gjetur valutë. Burime nga financat theksuan se shuma e parave në euro, të marra borxh nga bankat, do të përdoren për të shlyer borxhin e jashtëm, i cili paguhet në euro, dhe për të paguar faturat e kompanive që kanë lidhur kontratat me qeverinë në euro. Këtu një ndër kompanitë që do përfitojnë më shumë valutë, do jenë ato që ndërtojnë rrugën Durrës-Kukës.
Ministria
Ministria e ka quajtur të suksesshëm transaksionin e djeshëm. Sipas saj, edhe pse po thithet valutë, kjo nuk do të përbëjë problem për tregun. "Ky instrument nuk kufizon likuiditetin në euro të sistemit bankar ndaj sektorit privat, sepse jo vetëm që vlera e tij përbën një fraksion të fluksit të eurove në vend gjatë muajve të fundit, por është gjithashtu pjesë e një likuiditeti që në rast se nuk tërhiqej nga Qeveria, do të shkonte për t'u investuar jashtë vendit. Nga monitorimi i kujdesshëm i tregut bankar, Ministria e Financave ka vërejtur se një sasi gjithnjë e më madhe e likuiditetit në euro të bankave gjatë muajve të fundit, po shkon për t'u investuar nëpër tregjet europiane me instrumente afatshkurtër dhe norma interesi relativisht të ulëta, dhe është në sasi shumë më i lartë sesa nevoja e sektorit privat. Emetimi i këtij instrumenti i shërben pozitivisht jo vetëm Qeverisë, por edhe të gjithë sistemit financiar në vend".
Interesi
Edhe pse në pamje të parë mund të duket interes i favorshëm për Qeverinë, koha e maturimit të borxhit dhe sasia e parave të kërkuara lënë pak dyshime. Sa më i gjatë të jetë afati i shlyerjes së bonove, aq më i lartë është interesi që duhet të paguajë Qeveria. Kështu në ankandet e fundit të bonove të thesarit dhe obligacioneve 5-vjeçare, ndryshimi është i dukshëm. Interesi i pranuar nga Qeveria është rreth 9.6 për qind në vit, për bono me afat 5-vjeçar. Ndërsa interesi për bonot me afat një- vjetor, në të njëjtën kohë ishte 7.9 për qind. Pra një ndryshim prej rreth 1.7 për qind më shumë, kjo vetëm për shkak të afatit të gjatë të maturimit të boneve. E njëjta situatë është edhe me bonot në euro. Vërtet Qeveria gjeti në treg financim për bonot në euro me interes mesatar prej 6.05 për qind, por afati i maturimit është vetëm 9 muaj. Pra, Qeveria duhet të testojë edhe një herë tregun për afate më të gjata maturimi, në mënyrë që të qartësohet edhe ideja, se bankat kanë shumë likuiditet në euro, dhe se vërtet interesi i brendshëm është shumë më i leverdisshëm në krahasim me tregjet ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›