Robert Bales, ushtari që vrau 16 civilë afganë

Zyrtarë të lartë amerikanë bënë të ditur për BBC-në emrin e të dyshuarit, ndërkohë që arriti në SHBA, ku do të përballet me akuzat.
Avokati i tij, John Henry Brown, tha të enjten se i dyshuari ishte një 38-vjeçar, i cili ishte plagosur dy herë ndërsa shërbente në Irak.
Ai tha gjithashtu shtoi se i akuzuari ka qenë dëshmitar kur mikut të tij iu copëtua këmba, ditën para vrasjeve. Por ky incident nuk është konfirmuar ende nga ushtria amerikane.
Avokati e përshkroi atë si një ushtar të dekoruar më parë, i cili kishte një rekord shembullor para vrasjeve.
Ai ende mbetet i dyshuari kryesor, por Pentagoni ka thënë më parë se ai mund të përballet me akuza që bartin një dënim të mundshëm me vdekje.
Talebanët ndërprenë bisedimet e paqes në vazhdën e masakrës të së dielës, në të cilën burra, gra dhe fëmijë u qëlluan dhe u vranë nga një distancë e afërt.
Nga ana tjetër, SHBA-ja ka theksuar se mbetet e angazhuar për arritjen e paqes me afganët.