Dekreti, Berisha bën tentativa për të marrë kompetencat e Presidentit
Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha u shpreh dje në fjalën e mbajtur në mbledhjen e qeverisë se do të shfrytëzojë të drejtën e dekretit për të luftuar mafien, duke nënkuptuar opozitën dhe drejtuesit e saj. Por, në asnjë rresht të Kushtetutës nuk parashikohet e drejta e Këshillit të Ministrave për të nxjerrë dekrete. E drejta e dekretit në Ligjin Themeltar të vendit i njihet vetëm Presidentit të Republikës. Kryeministrit të vendit, në kompetencat që i njeh Kushtetuta, nuk i parashikohet e drejta e dekretit, ashtu sikurse dhe qeverisë. Qeveria mund të nxjerrë projektligje, akte dhe urdhra, ndërkohë që Presidenti, në ushtrim të detyrave të tij, dekreton ligje, nxjerr dekrete dhe dekreton emërimin dhe shkarkimin e kryeministrit të vendit dhe të ministrave të kabinetit qeveritar. Deklarata e djeshme e kreut të qeverisë duket si një përpjekje e tij për të vënë në presion edhe kreun e shtetit në kulmin e debatit politik mes pozitës dhe opozitës. Berisha njoftoi, ndër të tjera, se nëpërmjet dekreteve do të krijojë një Këshill Ligjor ekspertësh që do të ndihmojnë kryeministrin të luftojë mafien që lidh biznesin me politikën në vend. Kjo deklaratë e Berishës duket si një tentativë e tij për të marrë kompetencat e Presidentit të Republikës, duke nxitur një tjetër front debati midis tij dhe Presidentit.
Deklarata
“Qeveria do të përdorë të gjithë forcën e Ekzekutivit. Ajo nuk do të ngurrojë të përdorë dekretin. Lufta kundër mafies është emergjente. Ndaj, Këshilli Ligjor që do të ngrihet, një nga detyrat do të ketë sugjerimin e dekreteve të Këshillit të Ministrave për të shpartalluar mafien me forcën e ligjit”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka vazhduar me akuzat kundrejt opozitës dhe kreut të saj. “Gjatë këtyre ditëve e kam theksuar se, në rast se në mandatin e parë ne çmontuam një nga një bandat që bënin ligjin në qytetet, rrethet dhe portet e këtij vendi, Nehat Kullat, Aldo Baret, Lul Berishat etj., tani kanë ngelur Nehatët e kollarisur, kanë ngelur bosët e mafies. Në këtë luftë dhe në këtë përpjekje, në mënyrë kategorike, nuk do të ketë ngjyra, se ngjyra e krimit ekonomik është ngjyra më e shëmtuar; do të ketë qëndrim rigoroz ligjor. Në mënyrë absolute nuk do të ketë forcë që ta pengojë këtë ekzekutiv pa ushtruar vullnetin e popullit shqiptar në luftën kundër mafies. Ajo që unë deklarova mbrëmë, ju garantoj se është një dhe vetëm një pjesë, sepse tentakulat e saj të tmerrshme shtrihen në mbarë vendin. Ndaj zotërinj ministra, agjencitë tuaja kanë detyrimin e parë madhor betejën me zero tolerancë me mafien. Kjo betejë ka nisur dhe do të vazhdojë me metodat më rigoroze dhe më serioze. Secila agjenci të shqyrtojë bazën ligjore që ka në luftën kundër mafies dhe në rast se ka nevojë, të ndërmarrë hapat për përmirësimin e saj”, - u shpreh kreu i qeverisë, ndërsa njoftoi ngritjen e një Këshilli Ligjor për të ndihmuar kryeministrin dhe Ekzekutivin në këtë luftë, me ekspertët më të mirë ligjorë të vendit.
Kushtetuta
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në kapitullin që parashikon kompetencat e kryeministrit, nuk parashikon asnjë rresht për të drejtën e tij për të nxjerrë dekret. Një prej detyrave personale që parashikohen për kryeministrin është që, në zbatim të kompetencave të tij, të nxjerrë urdhra. Ndërsa në kapitullin për kompetencat e Këshillit të Ministrave parashikohet e drejta për të marrë vendime me propozim të kryeministrit ose të ministrit përkatës; e drejta për të nxjerrë akte, të cilat janë të vlefshme kur nënshkruhen nga kryeministri dhe ministri propozues, si dhe e drejta për të nxjerrë udhëzime. Në kapitullin e kompetencave të Presidentit të Republikës, pikërisht në Nenin 93 të Kushtetutës, shkruhet: “Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete. Pra Presidenti i Republikës është i vetmi institucion që ka të drejtën e nxjerrjes së dekreteve”.
Kushtetuta
Kompetencat e Kryeministrit
a) përfaqëson Këshillin e Ministrave dhe kryeson mbledhjet e tij;
b) koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe përgjigjet për to;
c) siguron zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave;
ç) bashkërendon dhe kontrollon punën e anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe të institucioneve të tjera të
administratës qendrore të shtetit;
d) kryen detyra të tjera të parashikuara në Kushtetutë e në ligje.
2. Kryeministri zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet ministrave.
3. Kryeministri, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra.
4. Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë. Ministri, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra dhe udhëzime.
Kompetencat e Presidentit
Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete.
2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.
3. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e Kryeministrit në detyrë dhe emërimin e Kryeministrit të zgjedhur jo më vonë se 10 ditë nga votimi i mocionit në Kuvend.
1. Në rastin e Nenit 171 paragrafi 1, Presidenti i Republikës i paraqet Kuvendit dekretin për vendosjen e gjendjes së luftës brenda 48 orëve nga nënshkrimi i tij, duke specifikuar të drejtat që kufizohen.
2. Kuvendi merr në shqyrtim menjëherë dhe vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve për dekretin e Presidentit.
Kompetencat e Këshillit të Ministrave
1. Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore.
2. Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të Kryeministrit ose të ministrit përkatës.
3. Mbledhjet e Këshillit të Ministrave bëhen të mbyllura.
4. Aktet e Këshillit të Ministrave janë të vlefshme, kur nënshkruhen nga Kryeministri dhe ministri propozues.
5. Këshilli i Ministrave nxjerr vendime dhe udhëzime.
Deputetët demokratë, lumë akuzash ndaj kreut të PS-së
Gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar sulmin në bllok deputetët demokratë ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, në një deklaratë për mediat i bëri thirrje Forumit të Gruas së Partisë Socialiste dhe deputeteve të opozitës, të firmosin një peticion ndërkombëtar e të distancohen nga fenomenet e shëmtuara të keqtrajtimit dhe ushtrimit të dhunës nga lideri i opozitës. “I ftoj t’i thonë stop dhunës së liderit të tyre e të vazhdojmë luftën tonë së bashku për të krijuar një botë në të cilën çdo grua trajtohet më respekt dhe dinjitet”, - është shprehur Vokshi. Ndërsa deputeti Aldo Bumçi reagoi pas deklaratës së Ramës, i cili i cilësoi shpifje akuzat e Berishës. Bumçi gjatë fjalës së tij përsëriti edhe njëherë akuzat për abuzim me tokat në Tiranë nga kreu i Bashkisë së kryeqytetit. Po gjatë ditës së djeshme, në një deklaratë për shtyp kundër Ramës ka dalë edhe një ish-eksponent i PS-së, tani deputet i PD-së, Lefter Maliqi.
4 Dhjetor 2009