Rock i shitur fushatë zgjedhore
Është tashmë një praktikë pothuajse e konsoliduar që fushatat zgjedhore të përcillen me muzikë dhe për më tepër edhe të kihet një himn që do ta përfaqësonte në njëfarë mënyre, nëse jo saktësisht programin e subjektit politik të paktën do t’i afrohej disi asaj ideje, si një shëmbëllim ose edhe si një miratim, në kontekstin e parimeve dhe vlerave. Sigurisht, vlerësimet nuk janë gjithaq të lehta në lidhje me tërë këtë. Dhe rrjedhimisht e tërë kjo edhe mund të jetë edhe bukur paradoksale. Një arsyetim për këtë mendim mund të jetë ajo se te një muzikë që, me disa parametra kritikë vlerësues, mund të cilësohet si e angazhuar, sociale, e protestës, ka një disharmoni parimore jo vetëm me politikën e ditës, po me vetë pushtetin në përgjithësi si të tillë. Këtu futen sidomos llojet e muzikës si rocku, rapi, apo edhe muzika e kantautorëve përtej çdo klasifikimi zhanror. S’do mend, nën këto etiketa ndërfuten edhe muzikantë që, do të mund të thoshim, nuk i respektojnë ato ‘parime ideale’ dhe për arsye të ndryshme afrohen kah politika, subjekte të caktuara politike, duke u bërë ithtarë dhe përkrahës të tyre.
Do të doja gjithsesi të them përciptazi se në skenën tonë muzikore nuk mund të gjesh një grup rocku, rapi, apo ndonjë kantautor që ta konsiderojmë tamam përfaqësues të atyre ‘parimeve ideale’. Nëse ndalemi te tekstet e këngëve, përgjithësisht është njëfarë turpi t’i dëgjosh. S’ka asfarë poetike, asfarë ndjesie as për së afërmi sublime që do ta kënaqte një dëgjues çfarëdo që ka të paktën një edukim serioz muzikor. Ndoshta mund të pajtohemi se grupi Troja, sidomos vetëm e vetëm me këngën “Amaneti i Clownit”, edhe ashtu të kënduar në një gjuhë që e kemi bukur të vështirë ta cilësojmë si zhargon, të folme lokale apo dialekt – bën një përjashtim nga ajo sa u tha. E megjithatë, prapë vijmë deri te një paradoks. Nëse i referohemi një kodi moral të muzikës (angazhimit), a nuk është njëfarë kundërthënieje që ajo këngë të përdoret nga një subjekt politik si himn nëfushatën zgjedhore? A nuk duket se është disi e padinjitetshme që një poezi e kënduar proteste, parimesh e vlerash njerëzore të përfundojë në ironinë e një subjekti politik kundër të cilit parimisht, në fakt dhe në esencë është sajuar, kënduar. Se, edhe ashtu, nëse ngjitemi në kohë që ta prekim origjinën e këngës, ai tekst kënge duket të jetë shkruar dhe regjistruar bash në kohën kur në pushtet ishte pikërisht subjekti politik që tashmë e ka marrë si himn të vetin. Ndonjëherë, në vendet perëndimore, e këto janë praktika të rastit, autorë të mëdhenj të rockut angazhohen në fushatën e ndonjë subjekti të caktuar politik – qoftë edhe duke e ditur se kjo është një lloj ‘përbaltjeje’ e parimeve të tyre intelektuale e njerëzore. Por, dhe kjo ka rëndësi të theksohet, e bëjnë këtë për të ndihmuar që të hiqet qafe një e keqe më e madhe, do të thotë për ta hequr nga pushteti. Me fjalë të tjera, rrethanat i kushtëzojnë që të zgjedhin një të keqe më të vogël (edhe pse, do të thoshte H. Arendt, të zgjedhësh një të keqe më të vogël është prapëseprapë të zgjedhësh të keqen). E kanë bërë këtë B. Springsteen, Pearl Jam, REM. Gjithsesi, siç e thamë, me një ide të caktuar, që ua diktonte vetëdija e tyre qytetare. Dhe gjithmonë, duke qenë autorë të një muzike poetike që qëndron mbi praktikat dhe ideologjitë politike të cilitdo vend dhe cilësdo kohë.
A mund ta themi këtë për grupin Troja? Jo. Bile në asnjë mënyrë. Po të flasim troç, me gjuhën e zakonit, na bëhet sikur ata thjesht - duke injoruar zanafillën ideale, sipas së cilës kënga ishte ngjizur si një protestë ndaj pushtetit si të tillë - e kanë shitur veten. Nuk e themi këtë për një akuzë, as parimore. E themi thjesht sa për opinion qytetar që mund të bazohet mbi një parim tepër hipotetik. Ndërsa, a do të mund të habiteshim (nëse veç jemi habitur me Trojën), pse ai subjekt politik, AAK, e ka marrë këtë këngë si himn të vetin në fushatën zgjedhore? Diçka e tillë është e kuptueshme për karakteret individuale e grupore të një perfiditeti psikologjik e politik. Në kuptimin se, edhe duke e ditur mirë cili është efekti dhe morali i këngës, e përvetësojnë si himn në mënyrë të që distancohen nga akuza e saj dhe njëkohësisht të bëhen bartës të asaj akuze. Ndaj kujt? Ndaj pushtetit në kohë të caktuar. Ndaj atij pushteti që si pushtet duan ta zëvendësojnë. U fokusova më tepër në këtë rast specifik, për të mos e ngarkuar as trurin tuaj as timin me përzgjedhjet muzikore, nëse mund t’i quajmë të tilla, që kanë bërë subjektet e tjera. Duke u nisur nga muzika e huaj e deri te muzika jonë folklorike.