E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rohan: Kosova ka një Kushtetutë moderne

Prishtinë -Kushtetuta e Kosovë është Kushtetutë demokratike, që siguron të drejtat e minoriteteve dhe në këtë aspekt mund të thuhet është e pakrahasueshme edhe në Evropë. Kushtetuta e Kosovës është një kushtetutë republikane, moderne dhe me standarde plotësisht evropiane. Kështu thotë në një intervistë ekskluzive për Radio Kosova, ish-ndërmjetësi për statusin e Kosovës, diplomati austriak Albert Rohan i cili do të qëndrojë me 15 qershor në Kosovë në një vjetorin e Kushtetutës.

“Mendoj se është një Kushtetutë me standarde evropiane, e cila është miratuar nga Parlamenti i Kosovës. Në propozimin tonë me Zotin Ahtiasri dhe zotin Ischinger ne kemi dhënë vetëm bazat e parimeve themelore për Kushtetutën e Kosovës, ndërsa përpilimi i saj dhe miratimi ka qenë kompetencë dhe detyrë e vetë Parlamentit të Kosovës”-tha Rohan. Duke folur për decentralizimin, Rohan theksoi se ai duhet të zbatohet.

“Besoj se përfaqësuesit politikë të serbëve do t’i kthehen arsyes dhe ta kuptojnë se duhet të dalin në zgjedhjet lokale të radhës”-tha diplomati. Rohan tha se pas një pauze, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përsëri janë aktive në Ballkan dhe kjo është e domosdoshme pasi shkon në interes të normalizimit dhe stabilizimit të situatës. “Mund të them se vizita kohë më parë e zotit Bajden ishte shumë e qëlluar dhe një hap tejet i rëndësishëm dhe unë plotësisht pajtohem me thënien e tij se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Për këtë nuk kam asnjë pikë dyshimi”-shtoi ai.

Ish-ndërmjetësi për statusin e Kosovës, duke iu përgjigjur pyetjes për kërkesën e Beogradit, për shtimin e komunave serbe në Kosovë, ka deklaruar se Plani Ahtisari është kompromisimi më i mundshëm që mund të bëhej, edhe pse Serbia nuk e pranon atë. “Shikoni, Qeveria serbe gjithmonë e ka thënë se nuk e pranon planin Ahtiasri dhe këtë qëndrim ajo nuk e ka ndryshuar. Kjo është për keqardhje, sepse plani i Ahtisarit paraqet kompromisin më të mundshëm midis shqiptarëve dhe serbëve. Çdo pjesë e planit të Ahtisasrit, si janë decentralizmi apo të drejtat e minoriteteve, janë në interes para së gjithash të vetë serbëve. Prandaj për mendimin tim të mos bashkëpunosh këtu, është në të vërtetet kundërshtim i vetë interesave të serbëve në Kosovë. Dhe mund të them se bashkësia serbe këtë gabim herët a vonë do ta kuptojë. Nëse serbët duan të kenë të ardhmen e tyre në Kosovë, gjë që e dëshirojmë të gjithë, atëherë ata duhet që të pranojnë planin e Ahtisarit dhe të drejtat që iu ofron ky plan. Në këtë kuadër ata duhet të kooperojnë me institucionet e Kosovës, ndryshe këto të drejta nuk do të mund t’i gëzojnë. Ky fakt duhet të kuptohet vetë nga serbët e Kosovës, ata duhet të vetëdijesohen dhe jo të gjejnë arsye emrin e Ahtiasrit, sepse ne plan nuk flitet për emrin e Ahtiasrit, por për esencën e propozimit që ka të bëjë me të drejtat e tyre”-tha Rohan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›