E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rohan: “Ndarja e BE-së, problem serioz për Kosovën”

“BE-ja ka treguar paaftësi dhe EULEX-i nuk është tërësisht funksional”. Kosova nuk është njohur ende nga 5 shtete të BE-së

Blerina Olldashi

Ish-ndërmjetësi i negociatave për statusin e Kosovës, Albert Rohan, ka deklaruar se mospranimi i pavarësisë nga 5 vendet e Bashkimit Europian është shkaku i mungesës së efikasitetit të Bashkimit Europian në Kosovë. Në një intervistë për të përditshmen kosovare “Koha ditore”, Rohan ka vlerësuar se refuzimi i vazhdueshëm i pesë shteteve anëtare të BE-së, që t’i bashkohen konsensusit të shumicës dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës, është shkaktari rrënjësor për veprimet e dobëta, të dykuptimshme dhe të paefektshme të Bashkimit Europian në Kosovë.
Sipas diplomatit Rohan, për këtë arsye, BE-ja ka treguar paaftësi dhe misioni EULEX nuk po bëhet tërësisht funksional. “Mungesa e një pozite unike e BE-së është shkaku rrënjësor për veprimet e dobëta, të dykuptimta dhe të paefektshme të Unionit”,- ka pohuar Rohan. Duke analizuar dokumentin e fundit rreth Kosovës të institutit spanjoll “FRIGE”, që propozon ndryshim të qasjes së BE-së ndaj Kosovës dhe zëvendësimin e planit të Ahtisarit me një alternativë europiane, Rohan ka vlerësuar se analiza e situatës në këtë dokument, megjithatë problemi kryesor mbetet paaftësia e BE-së për të vepruar në mënyrë të efektshme në lidhje me çështjen e Kosovës në përgjithësi edhe të problemeve që ka EULEX-i në kryerjen e funksioneve të veta. Ai ka shtuar se edhe kërkesa që bëhet në këtë dokument që Serbia dhe shtetet e tjera të Ballkanit t’i bashkohen Unionit sa më shpejt, është e papranueshme, pasi “është e pamundur që Serbia, apo Kosova, të anëtarësohen në BE pa zgjidhur dallimet që kanë mes tyre”. Me rëndësi të veçantë në Kosovë konsiderohet edhe roli i KFOR-it. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer ka vlerësuar se prej një kohe të gjatë KFOR-i po kryen detyrat e tij në mënyrë efikase, për të realizuar një mjedis të sigurt në Kosovë në pajtim me mandatin në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Shefer shprehu optimizëm për të gjitha komunitetet, përfshirë edhe serbët e Kosovës, të cilët marrin në konsideratë aftësinë e KFOR-it. Kreu i NATO-s tha se Aleanca në disa raste ka ndërhyrë për të ndalur masakrat dhe konfliktet dhe për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin si dhe për të krijuar kushtet që të fillojë rindërtimi dhe pajtimi.

Presioni i Beogradit, serbët në Kosovë refuzojnë të regjistrohen

Frika nga presioni i autoriteteve në Beograd ka bërë që serbët në Kosovë të mos regjistrohen duke bërë që të mos dihet sa është numri i tyre në vend. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shërbimeve Publike në Kosovë, hezitimi serb për t’u regjistruar po shtyn procesin, i cili në Kosovë për herë të fundit është kryer në vitin 1981. Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkoviç, ka deklaruar se regjistrimi i popullsisë nuk mund të pranohet derisa të mos konfirmohet statusi i Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe derisa një numër i madh i serbëve gjendet ende jashtë Kosovës. “Për ne, regjistrimi i popullsisë është i papranueshëm sepse institucionet që ende nuk kanë arritur legalitet në KS të OKB-së, në thelb sillen si shtet. Në anën tjetër, për shkak të sigurisë së serbëve, nuk do të lejohej që në shtëpitë e tyre të hynin ata që nuk janë nga komuniteti i tyre”. Ministria e Shërbimeve Publike thotë se i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme teknike dhe është e gatshme për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

16 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›