E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, Ivanov: “Zgjidhja e ‘emrit’, me referendum”



Presidenti i ri i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, bëri të ditur se pranimi i një propozimi për zgjidhjen e çështjes së emrit do të vendoset me referendum. “Propozimi që do të dalë nga negociatat, cilido që të jetë, do të vendoset në një referendum”,- pohoi Ivanov duke komentuar propozimin “Republika e Maqedonisë Veriore”, i mirëpritur nga pala greke. Shkupi sipas tij është i gatshëm për një kompromis me Greqinë, por nuk do të pranojë atë zgjidhje që do të cenojë interesat e popullit maqedonas. “Propozimi në fjalë ka një përmbajtje gjeografike që e dëshirojnë të tjerët. Ne gjithmonë jemi të përgatitur për kompromis, por që ai të mos jetë në dëm të interesave shtetërore”,- ka shtuar Ivanov. Mediat maqedonase kanë bërë të ditur se Athina është dakord me propozimin e negociatorit të Kombeve të Bashkuara Metju Nimitç që Maqedonia të quhet “Republika e Maqedonisë Veriore”.
Ato kanë cituar ambasadorin grek në Uashington, Aleksandros Mallias, i cili është shprehur se më në fund, në bisedimet me Shkupin lidhur me çështjen e emrit të fqinjit verior, është një propozim në tryezë.

Maroni: “12 miliardë euro për rindërtimin e Abrucos pas tërmetit”

Rindërtimi i rajonit Abruço në pjesën qendrore të Italisë, pas tërmetit të javës së kaluar, do të kushtojë 12 miliardë euro. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni. “Tërmeti, që la të vdekur 294 veta dhe mbi 40 mijë banorë të pastrehë, goditi Italinë në kohën e recesionit më të madh që po pëson ky vend që nga Lufta e Dytë Botërore”,- u shpreh dje Maroni. Ndërkohë lëkundje të tjera termeti janë regjistruar dje në Akuila, ku më e forta ka qenë ajo me magnitudë 4,1. Lëkundjet u ndien edhe në zonat përreth. Autoritetet italiane kanë vazhduar të verifikojnë shtëpitë e shkatërruara në zonat e tërmetit dhe kane njoftuar se numri i shtëpive të pabanueshme është rritur nga 30 në 53 për qind. Synimi kryesor është që të pastrehët të largohen nga tendat dhe hotelet përpara mbërritjes së stinës së dimrit. Prokuroria e Akuilas po vazhdon hetimet për të zbuluar nëse ka përgjegjësi penale për tërmetin dhe shumë shpejt pritet të merren në pyetje dëshmitarët e parë.

16 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›