Rohan: Prioritet, decentralizimi dhe pakicat

Diplomati austriak, Albert Rohan numëron tre parakushte për të zgjidhur veriun: kontrolli i kufijve, ndjekja e kriminelëve në veri, dhe shtrirja e dorës nga tërë shoqëria kosovare drejt popullatës në veri.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, Rohan thekson se e kaluara politike e lidershipit të ri serb është arsye për skepticizëm.
I pyetur nga “Koha Ditore” si e sheh fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë, ai është përgjigjur “E shoh pozitivisht fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë, meqë kjo nënkupton se Propozimi gjithëpërfshirës për status është zbatuar në masë të gjerë, prandaj edhe nuk ka nevojë për mbikëqyrje ndërkombëtare të implementimit”.
Sipas Rohan, përpjekje duhet të përqendrohen tani në realizimin praktik të decentralizimit dhe respektimit të plotë të dispozitave që kanë të bëjnë me komunitetet joshumicë.
Në këtë kontekst fuqishëm i dënoj sulmet e përsëritura fizike kundër pjesëtarëve të komunitetit serb, përfshirë ato kundër të kthyerve dhe vizitorëve. Këto vepra kriminale duhet të hetohen me ngulm dhe të sanksionohen. Ato janë shkelje të ligjeve të Kosovës, e dëmtojnë imazhin e shoqërisë së Kosovës dhe janë një turpërim për miqtë e Kosovës”.