E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roi Hodgson nis të mendojë për Brazil 2014

Trajneri i Anglisë, pavarësisht nga eliminimi ndaj Italisë, e sheh të ndritur të ardhmen e luanëve: Kemi një skuadër të re, që do të jetë e suksesshme në të ardhmen.

Roi Hodgson mbetet me bindjen se Anglinë e pret një e ardhme e ndritur, ndonëse skuadra e drejtuar prej tij u eliminua edhe një herë me penallti në një turne madhor.

Lojtarëve të Hodgsonit iu prishën ëndrrat në natën e nxehtë të Kievit, kur Italia i mposhti 4-2 me penallti pas barazimit 0-0 në 120 minuta lojë plot tension e aksion. Anglia luajti e tërhequr kundër axurrëve për periudha të gjata kohore në këtë ndeshje përpara se të pësonte disfatën e shtatë me penallti në tetë përballje të tilla.

Këtë herë ishin Eshli Jang dhe Eshli Kol ata që gabuan nga 11-metërshi. Sfida e radhës për Tre Luanët është të kualifikohen në Brazil 2014 dhe Hodgson, i cili e mori këtë detyrë vetëm pak ditë përpara se të niste turneu në Poloni dhe Ukrainë, beson se ka parë dhe mësuar mjaft për të pohuar se ka një bazë të mirë nga ku mund të nisë të ndërtojë skuadrën e tij.

Mendoj se kur të shoh pas në këto momente, nuk do të jem i zhgënjyer nga mënyra se si luajtëm dhe si u sollëm, por shpresoj që të na shërbejë si një platformë për të ardhmen”, ka thënë ai në konferencë për shtyp. Do të doja të mendoja se kam një arsye të mirë për të qenë optimist, sepse kemi disa lojtarë shumë të mirë të rinj.

Ne jemi duke ecur mirë në turnetë e niveleve Under 21. Ka shumë lojtarë të rinj që janë duke zënë vend nëpër skuadrat e mëdha dhe disa prej tyre janë tashmë edhe në përfaqësuese.

Do të doja të kishim më shumë, nëse nuk do të na ishin dëmtuar Smolling dhe Uolker. Duhet të shohim anën pozitive të çdo gjëje. Por megjithatë në letër është një dështim, por mendoj se këtë vit mund ta konsiderojmë si pozitiv. Nuk besoj se ka aq negativitet sa dikur.

Tani duhet të përdorim përvojën e fituar në këtë turne dhe të përgatitemi për në Brazil 2014 dhe të përmirësojmë bilancet tona të mëparshme.” Është folur shumë për paaftësinë e Anglisë për të mbajtur zotërimin e topit në këtë turne, kurse Italia e zotëroi topin në 68 për qind të kohës kundër Anglisë.

Por Hodgson është i mendimit se flitet shumë për disa statistika. Trajneri i Luanëve ka pohuar se ndërkohë që lojtarët e tij u dukën solidë në mbrojtje, paguan shtrenjtë për pasigurinë e tyre në fazën sulmuese.

“Unë nuk i shoh me aq ngulm statistikat, sidomos ato të zotërimit të topit, pasi ato nuk janë veçanërisht të rëndësishme për të thënë se cila prej skuadrave ishte e mirë dhe cila e keqe. Kur je në ndjekje të topit, nuk është mirë për sa i përket lodhjes fizike, por në përgjithësi ne tentuam të luanim pozitivisht.”

Një pjesë e madhe e zotërimit të topit të anglezëve ishte nëpërmjet mbrojtësve dhe lojtarëve të mesfushës. Statistikat që më interesojnë janë statistikat e zotërimit të topit në fazën sulmuese dhe numri i herëve që skuadra arrin të gjuajnë në portë.

Unë e përsëris që ka disa statistika që nuk janë aq me peshë, por mund të themi se ne mund ta kishim mbajtur topin më shumë dhe më mirë duke përfituar nga situatat e rasteve që krijuam. Jam dakord me këtë mendim dhe mendoj se edhe lojtarët janë të vetëdijshëm. Ky është një aspekt i lojës ku ne duhet të përmirësohemi më shumë.

Kemi shumë kualitete në skuadër për të luajtur në çdo stil loje të mundshëm, por në këtë turne nuk patëm shumë kohë për tu përgatitur dhe ndonëse u mbrojtëm shumë mirë, mund të kishim sulmuar më shumë.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›