E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Lajthitje e Topallit, Berisha duhet ta korrigjojë

 

adi shkembi

Partia Republikane reagon ashpër ndaj deklaratave të një dite më parë të nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli që i quante partitë e vogla, ku përfshinte edhe PR-në, si parti me spiunë e mafiozë. Forca e dytë politike për nga madhësia e koalicionit të djathtë, e vlerëson si një lajthitje të kryetares së Kuvendit, por shkon edhe më tej ku i kërkon kryetarit të PD-së dhe Kryeministrit Berisha që ta korrigjojë atë. Presidenti i asamblesë së kësaj partie, Sabri Godo tha dje në një prononcim për gazetën “Panorama” se këto dy forca politike kanë një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre. Por sipas tij “unë e shikoj si një lajthitje të çastit, të pakuptimtë. Ne kemi një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Demokratike, kemi qenë në koalicion me të dhe vazhdojmë të jemi dhe seç mund të deklarojë pastaj një individ i veçantë për mua nuk ka dhe aq rëndësi”. Godo theksoi se “Nuk është e thënë nëse është nënkryetare ajo që ka bërë deklaratën. Partia Demokratike ka një kryetar dhe forumet e saj drejtuese, ne me ata kemi bërë marrëveshje. Ndoshta është punë e atyre të korrigjojnë këtë lajthitje. Personalisht kësaj deklarate nuk i jap ndonjë rëndësi”. Pas deklaratës së kryetares së Kuvendit, e cila kryeson listën e PD-së për Qarkun e Shkodrës, ka reaguar edhe kandidati i PR-së në këtë qark, Neritan Alibali. Nënkryetari i republikanëve e ka vlerësuar qëndrimin e Topallit gjatë një takimi elektoral në Postribë si personal dhe të paarsyeshëm. Sipas Alibalit, kjo deklaratë bie ndesh me marrëveshjen e nënshkruar me 21 mars të këtij viti mes Partisë Demokratike dhe Republikane nga kryetaret e këtyre forcave politike, Sali Berisha dhe Fatmir Mediu për bashkëpunim elektoral në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. “Ne e konsiderojmë qëndrimin e zonjës Topalli, si kërcënim personal të paarsyeshëm, që bie ndesh me paktin e nënshkruar me PD-në. Ne i hedhin prapa qëndrimet personale të mbajtura nga gjithsecili dhe shohim nga e ardhmja. PR do t’i përmbahet marrëveshjes dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me PD, pavarësisht qëndrimeve personale”, u shpreh Alibali. Gjatë një takimi në zonën e saj elektorale nënkryetarja e Partisë Demokratike i kërkoi të pranishmëve që të votonin vetëm Partinë Demokratike, pasi sipas saj çdo votë për partitë e vogla është votë për Edi Ramën dhe jo për Sali Berishën. Por Topalli vazhdoi edhe më tej ku deklaroi se demokristianët, republikanët dhe partitë e tjera të vogla janë ose me spiunë ose me mafiozë. Megjithëse Partia Demokratike dhe Partia Republikane kanë një marrëveshje koalicioni mes tyre, sistemi i ri zgjedhor nuk i jep mundësi forcës më të madhe të këtij koalicioni ti bëjë thirrje elektoratit për të mbështetur aleatët. Proporcionali rajonal detyron PD-në që të mbledhë sa më shumë vota në favor të saj. Në të kundërt, në zgjedhjet e vitit 2005, Partia Demokratike bëri marrëveshje me aleatët që në përballjen direkt të kandidatëve të mbështeteshin kandidatët e PD-së, ndërsa në proporcional të gjithë elektoratit të djathtë iu kërkua të votonte për partitë aleate.

Reagon Ndoka: Topalli po ndjen humbjen në Shkodër
Partia Demokristiane ka reaguar dje ndaj qëndrimit të nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli, duke e quajtur atë deklaratën e një njeriu që po ndjen humbjen në qytetin e Shkodrës. Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka tha përmes një deklarate për shtyp se deklaratat e Topallit, janë shprehje e një krize të thellë morale dhe politike, por dhe paniku, lidhur me rezultatin e zgjedhjeve. “Topalli çdo ditë e më shumë e prek humbjen e mbështetjes në Shkodër, edhe përse përpiqet të vendosë terror me bandat e saj. Humbja nuk është e prekshme vetëm për Topallin, por dhe vetë PD-në. Kjo zonjë së bashku me një grusht familjarësh të saj, e kanë zhvatur, sunduar, por asnjëherë qeverisur Shkodrën dhe kjo gjë ka krijuar tek qytetarët një klime reaksioni”,- deklaroi Ndoka. Kreu i demokristianëve theksoi se “Topalli e ka humbur edhe përmasën e të qenit “Nënë”, pasi në mënyrë të dhunshme, me presione e shantazhe, nxjerr fëmijët nëpër mitingje, duke dhënë dhe shembullin më të shëmtuar të një gruaje, jo vetëm nënë, por edhe politikane”. Ndoka bëri të ditur se shumë shpejt do të informojë dhe organizmat ndërkombëtare, për terrorin, dhunën dhe abuzimet marramendëse, që bëhen nga zyrtarët e qeverisë në emër të fushatës zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›