E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Zyrtarët e PD të dorëhiqen

 

BLEDAR HOTI

Partia Socialiste i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ndërhyjë në zgjidhjen e çështjes së kandidatëve për deputetë që mbajnë poste shtetërore. Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, socialistët dhe demokratët janë përplasur në lidhje me emrat e disa prej kandidatëve për deputetë që janë të zgjedhur vendorë dhe që ende nuk kanë dhënë dorëheqjen nga postet e tyre sipas nenit 69 të Kushtetutës. Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj kërkoi ndërhyrjen e KQZ-së për të zgjidhur këtë situatë. “Çdo garim i këtyre njerëzve, të cilët kanë këtë papajtueshmëri, pra janë mbajtës të një mandati publik, janë kryetarë bashkish apo komunash, janë prefektë në qarqet përkatës dhe të gjithë të tjerëve i sjell mandatet e tyre në kushtet e papajtueshmërisë. Kjo do të thotë se pas 28 qershorit të gjithë këta njerëz që sot garojnë, duke mbajtur këto pozicione publike nuk mund të përfitojnë asnjë lloj mandati nga KQZ për arsye të papajtueshmërisë me Kushtetutën. Unë e di se shumë përfaqësues në garë të PD-së e kanë këtë problem dhe ata në bazë të kësaj dispozite nuk do të mund ta përfitojnë mandatin”, deklaroi Gjonçaj. Një tjetër çështje që ngriti Gjonçaj lidhet me faktin se “këta kandidatë po shfrytëzojnë resurset e institucioneve, publik që administrojnë në bërjen e fushatës elektorale”. Ai shtoi se “në mënyrën më të shpejt këta persona duhet të paraqesin dorëheqjen dhe një kopje të vij pranë KQZ-së”. “Në rast se KQZ nuk e ka ushtruar deri më tani këtë të drejtë atëherë më duhet të them se kjo përbën një shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës, gjë që do të sjellë, që shumë deputetë të mos konsiderohen deputetë”, tha Gjonçaj. Kjo u kontestua nga ana e përfaqësuesit të PD-së, Njazi Kosovrasti, i cili e cilësoi si të pavend propozimin e PS-së, pasi nuk ka asnjë vlerë juridike, ndërsa ia ka faturuar KQZ-së mungesën e moscaktimit të procedurave të qarta në lidhje me këtë çështje. “Një element ligjor është se KQZ kur miratonte listat e kandidatëve për deputetë ju nuk keni vënë asnjë kusht, që t’u thoni partive apo individëve që të sjellin dokumentet përkatëse. Deputetë që bëjnë pjesë në ato lista po qe se nuk e ka bërë dorëheqjen mandatin e ka të pavlefshëm. Ai nuk bëhet deputet nëse nuk e ka bërë këtë, pra le ta pësojë ai, i cilësdo partie qoftë. Unë di që të gjithë prefektët e mi, ata që janë kandidatë, janë shkarkuar, po ka mbetur një nesër institucioni ta marrë dhe ta konsideroi të papajtueshëm”, theksoi Kosovrasti. Përfaqësuesi i PD-së, shtoi se “Shkresa dhe dorëheqja e tyre tani nuk ka asnjë vlerë juridike sepse ata kandidatë nuk janë vetëm sot, por janë që ditën që KQZ miratoi listat. Në rast se ata fitojnë mandat nuk e marrin atë se e kanë bërë fajin”. Përpos këtyre debateve kreu i KQZ-së, Arben Ristani i ka dhënë të drejtë socialistëve. “Problematika e ngritur qëndron dhe ata që janë në këtë gjendje duhet që në bazë të ligjit të japin dorëheqjen. Mund ta kenë bërë një gjë të tillë, por ne s’kemi informacion, megjithatë meqenëse objeksioni qëndron, komisioni do të bëjë që nesër një shkresë kujtese për këta individë”, deklaroi Ristani. Neni 69 i Kushtetutës ndalon të kandidojnë njerëz të veshur me pushtet, nga gjyqtarët, prokurorët, prefektët dhe krerët e bashkive dhe komunave. Një pjesë e mirë e kandidatëve për deputetë të PD-së, që ishin në postin e prefektëve nuk mbajnë postin shtetëror. Ata janë zëvendësuar ose larguar nga ana e Qeverisë. Aktualisht janë gjashtë krerë të komunave, bashkive dhe njësive bashkiake që mbajnë postin si dhe njëkohësisht kandidojnë për deputetë të partive politike. Kandidati i PD-së, Gert Bogdani është kreu i njësisë 10 Tiranë që mban postin numër 6 në listën e Tiranës. Gjithashtu, janë Bedri Hoxha, kryetar i Bashkisë Klos, kandidat i PD-së, Lefter Maliqi, kryetar Komunës Otllak, kandidat për PD-në, Ndue Paluca, kryetar bashkie Fushë Arrëz, kandidat i PD-së dhe Besnik Dushaj, kryetar i komunës Fierzë, kandidat i PD-së.

Neni 69 i Kushtetutës

1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:
a) gjyqtarët, prokurorët;
b) ushtarakët e shërbimit aktiv;
c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;
ç) përfaqësuesit diplomatikë;
d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;
dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;
e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.
2. Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.

Kandidatët që duhet të japin dorëheqje nga funksionet

Gert Bogdani kreu i njësisë 10 Tiranë, PD

Bedri Hoxha kryetari i Bashkisë Klos, PD

Lefter Maliqi kryetar Komunës Otllak, PD

Ndue Paluca, kryetar i Bashkisë Fushë Arrëz, PD

Besnik Dushaj, kryetar i Komunës Fierzë, PD

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›