E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Kandidatë me dosje në listat e partive,e pafalshme për liderët që i kanë certifikuar

 

Presidenti Bamir Topi hedh dyshime se në listat e kandidatëve për deputetë ka ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Në një intervistë në “Top Story” të gazetarit Sokol Balla në “Top Channel”, kreu i shtetit tha se nuk ishte i sigurt, nëse partitë politike i kanë pastruar radhët e tyre nga spiunët.Gjatë kësaj fushate nuk kanë munguar incidentet, thyerje zyrash, djegie flamurësh. Si do t’i komentoni?
Nuk mendoj se janë elementë të qytetarisë, shpresoj që të jenë raste të izoluara, shpresoj të jenë raste të amplifikuara përtej asaj që kanë ndodhur. Shpresoj të jenë raste që mund të konsiderohen të konkluduara. Zgjedhjet e vitit 2009 sikurse është thënë duhet të konsiderohen si festë të demokracisë, pasi ne jemi në mbyllje të tranzicionit, sepse Shqipëria sot është një vend i NATO-s, çka do të thotë që përgjegjësia dhe serioziteti për administrimin e zgjedhjeve duhet të jetë maksimal, por jemi edhe një vend që ka aplikuar për në BE, çka do të thotë se duhet të zbatojmë edhe standardet evropiane.
Si e përjetuat ngjarjen e Qerretit?
E përjetova sikurse çdo njeri, me ndjesi humane. Një ngjarje tragjike që ndodhi në metropolin Tiranë-Durrës, aty ku siguria mendohet të jetë maksimale, ndodhin në një moment kur të gjithë kanë mundësi të ndjekin fushatën nëpërmjet kanaleve televizive, kanë mundësi t’i arsyetojnë në mënyrë të qytetëruar dhe janë ngjarje që nuk i takojnë një vendi, që aspiron që pas pak kohësh të jetë vend anëtar i BE.
Kjo ngjarje nuk i shpëtoi politizimit...
Po sigurisht që do marrë nuancat e veta politike, sepse edhe sfondi në disa raste kur ndodhin incidentet është politik. Mos mendoni se inspirohen thjesht nga lidershipi politik. Kur flasim për një sfond politik kemi parasysh tërë strukturën vertikale që kalon deri te militanti i thjeshtë. Do ishte mirë që fjalimet politike, natyrisht është në vullnetin e çdo lideri politik dhe nuk mendoj se duhet të interferojë, por duhet të jenë të qeta, mesazhe vizionare. Nuk mendoj se gjuha e ashpër është ajo që realizon grumbullimin e votave.
Si e përjetuat politikisht, personalisht apo institucionalisht përjashtimin nga listat e deputetëve të PD të një pjesë emrash, që nuk u përpoqën të fshinin një farë afrie me ju, por që politikisht u përkufizuan si pakicë bllokuese?
Ta fusësh këtë bisedë në këto kanale, do të thotë të më fusësh në një pozicion të retrospektivës sime. Asnjëherë nuk më ka munguar kurajoja për të bërë analizën deri në qelizë të situatës politike, por të futem në këtë lloj bisede, mund të diskutoj për çështje në parim, pa individualizuar persona. Në karrierën time politike kam pasur rastin të njihem nga afër me personalitete të shumta që jo gjithmonë arrijnë të shkojnë deri në fund. Ndoshta e ndërpresin momentalisht karrierën e tyre edhe si pasojë e demonstrimit të një force karakteri. Nuk dëshiroj të merrem në mënyrë analitike me ndonjë rast të veçantë, por është thënë dhe stërthënë që politika është një biznes i vështirë. Politika kërkon maturinë dhe veprimin, edhe kompromisin, por edhe demonstrimin e forcës së karakterit. Janë disa elementë të cilët patjetër duhet të arrijnë në një kombinacion fitues, përndryshe rrezikon ose të mos jesh në sinkron me vendimmarrjen politike të një grupi të caktuar politik, ose presupozon njëlloj nënshtrimi edhe të një vije politike për të cilën ti nuk je i bindur. Kështu që unë respektoj vendimet individuale, sidomos për ata persona që kam admirim dhe kam vlerësimin tim për atë çka unë kam parë te ata. Ju u munduat ta fokusoni në një drejtim, unë mund të them se i kanë të gjitha krahët, edhe e majta, edhe e djathta. Asnjëherë këto vlera nuk mendoj se duhet të shuhen, këto vlera vetëm transformohen. Politika është e tillë që kur njeriu ka motivacionin dhe angazhimin për të vazhduar politikën, mund të gjejë fare mire vendin e vet për t’u ndjerë i lirë në prononcimin e ideve, ku në disa formate politike të ngurta nuk gjen forcën e shprehjes së lirive të veta.
Këto lloj figurash mund të ishin edhe pjesë e stafit të Presidentit?
Unë nuk kam bërë në llogaritjen e stafit, i kam pasur mundësitë pa fund për të zgjedhur dhe nuk i shkoj këtyre koniunkturave për të ekstraktuar këto vlera që dalin, gjithsesi ky treg është i hapur, tentoj që edhe në vazhdim mund të rris kualitetin e stafit që punon për Presidentin.
Si e shikoni faktin që emra “të vjetër”, që kanë pasur kontribut në këto 18 vjet, sot janë jashtë listave?
Është çështje e perceptimit të partive politike. S’do e bëj atë gabim që të futesha në vizion dhe vendimmarrjen e partive respektive në Shqipëri. Ndoshta për të diskutuar gjithmonë parimisht dhe për të mos u keqkuptuar, ka të bëjë me nivelin dhe shkallën e demokracisë së partive në Shqipëri. Unë do ta përmblidhja në këto 2-3 elementë, niveli i demokracisë së partive dhe stadi në të cilin interlokutorët politikë në një parti arrijnë të shprehen. Ndonjëherë krijojnë edhe bezdisje brenda grupeve politike dhe nuk u japin atyre shansin të jenë atraktivë për të vazhduar betejën së bashku.
Raste e tentativa për kontroll apo demagogji ka pasur edhe në krahun tjetër, mjafton të kujtoj ligjin e lustracionit, që edhe atë ju e kontestuat, pavarësisht se e kaluat në heshtje...
Është folur shumë dhe kam qenë një nga ata që kam dëshiruar që kjo çështje të marrë një zgjidhje definitive. Por “s’jam i sigurtë” nëse partitë politike te personat, që kanë katapultuar në garën elektorale i kanë pastruar radhët e tyre nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Kjo është një çështje që ka të bëjë me vullnetin e partive politike dhe kjo vlen më shumë për ata që kanë më shumë informacion.
Ata që janë në qeveri kanë më shumë informacion...
Jo, kanë qenë shumë në qeveri, janë ndërruar vazhdimisht. Kam përshtypjen që palët kryesore kanë informacion. Sot edhe nëse s’ke informacion, nëse je i motivuar që të pastrosh politikën nga bashkëpunëtorët duhet të kërkosh informacion, që mund të jetë konfidencial dhe të bën të parandalosh infektimin e politikës së re parlamentare me njerëz, që vijnë nga radhët e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. I gjithë diskursi politik në funksion të pastrimit të ligjit të Lustracionit duhet të jetë kompatibël me vullnetin e brendshëm të çdo lideri politik, ndryshe pastaj, pavarësisht nga pengesat do vijë një ditë që gjithçka do jetë transparente, për cilindo i cili ka qenë dhe është fshehur për t’u bërë pjesë e garës politike. Kurrsesi nuk do t’i barazoja me ata që kanë zgjedhur të kenë fatin e tyre pa u bërë protagonistë në politikë, pa u bërë interpretë të fateve të njerëzve dhe pa u bërë vendimmarrës për fatet e popullit të tyre. Unë i konsideroj fatkëqinj ata që kanë qenë pjesë e infrastrukturës së Sigurimit të Shtetit. Por do t’i gjykoja me nota shumë negative, gati të ashpra ata që kanë qenë pjesë e infrastrukturës së Sigurimit të Shtetit dhe ende sot tentojnë të zhvillojnë garë elektorale në një kohë kur kanë bërë debat, kanë qenë pjesë e një debati të ashpër dhe sot janë me aspiratën për t’u futur në Parlament. Kjo do ishte e pafalshme jo vetëm për ata që marrin pjesë, por edhe për ata që i kanë certifikuar.
Sa është prokuroria përgjegjësie për çështjet Fazlliç, Rrëshen-Kalimash, Gërdecin?
Për shkak të ndjeshmërisë publike unë nuk dëshiroj të futem në asnjë element të veçantë. Kur flasim për prokurorinë dhe institucionet, të cilat janë kushtetuese dhe kanë një ligj organik mbi të cilin veprojnë, besoj se institucionet tona kanë nevojë të rriten profesionalisht. Pse jo të pastrohen nga njerëz që kanë pasur shumë pak profesionalizëm dhe shumë milintantizëm dhe kjo nuk vjen në një ditë, por të ketë një tendencë të qartë që këto institucione nuk do munden të vazhdojnë në hijen e politikës dhe të intimidohen nga politika. Ato do të jenë të fortë si institucione vetëm në momentin kur do kenë një strukturë të fortë, do kenë personalitete me integritet, përndryshe në rast se nuk je i aftë në profesion je i influencueshëm në të gjitha koniunkturat.
Edhe për çështjen e Gërdecit, për sa i parket hierarkisë së komandës, kontrollin e raporteve, informimin që duhet të kishit, është folur për përgjegjësinë tuaj...
Jam zgjedhur president në korrik 2007, ndërkohë që të gjitha procedurat për ngritjen e fabrikës në fjalë dhe të gjitha vendimet kanë qenë të marsit dhe prillit 2007. Besoj që u mjafton kaq për të analizuar dhe kuptuar se ku ekziston përgjegjësia personale. Kam qenë unë ai që në krye të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit kam hedhur kritika, që kanë qenë shumë objektive për të gjitha ato institucione që do bënin punën e tyre dhe jo punën time. Punën e tyre mbi bazën e ligjeve respektive që kishte çdo institucion për të bërë të mundur dhënien e informacionit. Edhe sot në Shqipëri në zona të caktuara bëhet demontim. Ka informacion të vazhdueshëm që këtu bëhet demontim, puna është që kush ta jep informacionin për çrregullimet.

Ministria: Numri i aplikimeve për kartat është 1.385.442
Dita e fundit e aplikimeve, Poni: U tërhoqën 1.000.896 letërnjoftime

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinad Poni deklaroi se kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 1.385.442 shtetas, si dhe kanë tërhequr dokumentin mbi 1 milion qytetarë. Pone theksoi se lista e atyre që kanë aplikuar dhe që u është prodhuar letërnjoftimi elektronik do të bëhen publike në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme si dhe këto lista do t’u dërgohen prefekturave, në mënyrë që të vihen në dijeni të gjithë njësitë vendore dhe që qytetarët të jenë sa më të informuar, që të shkojnë të tërheqin letërnjoftimet tashmë të prodhuara. Shifrat janë dhënë mbi bazën e informacioneve të marrë deri më 16 qershor. Ndërsa tre ditë më parë kishin tërhequr nga sportelet kartat rreth 950 mijë qytetarë. Ministria e Brendshme shtyu afatin e aplikimit deri në tre ditë, për t’i dhënë mundësi shtetasve pa dokument identifikimi që të aplikojnë. Sot është afati i fundit i aplikimit të qytetarëve.

Ai deklaroi se më 16 qershor 2009:
Numri total i aplikimeve është                   1.385.442
Nr. i aplikimeve më 16.06.2009                    7.762
Nr. i letërnjoftimeve të prodhuara            1.298.097
Nr. i letërnjoftimeve në ZGJC-ve        1.279.338
Nr. i letërnjoftimeve të tërhequra        1.000.896
Nr. i kartave të tërhequra më 16 qershor    24.233

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›