Rokadë në drejtorinë e policisë, Kuliçaj sërish i paprekshëm
Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit është përfshirë në disa ndryshime emrash në kupolën e saj. Por ndryshimet në drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit nuk kanë prekur Agron Kuliçajn, tashmë të deklaruarin i paprekshmi për shkak të imunitetit që ai ka si ish-badigard i Berishës dhe njeri i besuar i tij. Emri i Agron Kuliçajt, zv/drejtor i policisë së shtetit, përmendet disa herë në kabllogramet e ambasadës amerikane të publikuara së fundmi nga Wikileaks, si një person i korruptuar, për të cilin dyshohet madje se ka ndihmuar dhe kriminelin Dritan Dajti të fshihet nga policia. Ambasada amerikane madje citonte vetë drejtorin aktual të policisë Hysni Burgaj të thoshte se Kuliçaj ishte i besuari i Berishës dhe askush smund ta largonte atë nga detyra apo ti jepte urdhra pasi ai i merrte urdhrat direkt nga lart. Në këtë kuadër Kuliçaj ka marrë dhe një mandat 3-vjeçar në detyrën që mban, ndërkohë që kolegët e tij kanë ndërruar detyrë. Siç bëhet e ditur nga burime zyrtare, ndryshimet ndodhën në ditët e para të këtij viti me urdhër të ministrit të Brendshëm Bujar Nishani. Kështu Rasim Boriçi, zv/drejtor i Policisë së Shtetit për shërbimet mbështetëse kalon në drejtorinë e administratës së kufirit, duke u emëruar drejtor i kësaj drejtorie. Dashamir Maçi, drejtor i burimeve njerëzore zëvendëson në detyrë Rasim Boriçin. Po kështu dhe zv/drejtori tjetër, Ahmet Haxhia, lë këtë detyrë për tu emëruar drejtor policie në qarkun e Gjirokastrës. Anila Hoxha ish-këshilltare, zëvendëson Haxhinë dhe emërohet zv/drejtoreshë për trajnimin policor. Emri Vata, drejtor i policisë së Gjirokastrës, merr detyrën e drejtorit të policisë së Elbasanit. Jashar Vreka, drejtor i policisë së Elbasanit kalon në drejtorinë e përgjithshme të policisë si drejtor i burimeve njerëzore. Ajet Ibro emërohet këshilltar pranë drejtorisë së përgjithshme. Ndërkohë burimet e policisë bëjnë të qartë se i rinovohet mandati dy zv/drejtorëve të tjerë Agron Kuliçaj dhe drejtorit të kufirit Pëllumb Nako. Rinovimi i mandatit të tyre bëhet edhe për tre vjet të tjera.