E Diel, 1 Nëntor 2026

Roli i Shkëlzen Berishës në listat e 28 qershorit

(Ilir Meta dhe Arta Dade, si melhemi mbi plagë për Edi Ramën)
Nga Bejdo MALO
Nesër, Sali Berisha. Edi Rama, Aleksander Meksi dhe Ilir Meta do të dorëzojnë listat e   kandidatëve për deputetë në KQZ. Dje, kryeministri aktual ka bërë ka bërë takimet e fundit me disa nga kandidatët kryesorë. Nëse në PD dhe në PS tenxherja ku është zier gjella e 140 emrave të kandidatëve për deputetë nuk ka nxjerrë avull fare, tek LSI e Ilir Metës ka valuar për muaj të tërë. Viktima e fundit e temperaturës së lartë të vlimit në tenxheren e Ilir Metës, ishin Briseida Gjikondi, e cila zgjodhi më mirë të votojë për Adelajdën e Big-ut, Nikollaq Neranxi, Ndre Legisi ky usta i vjetër dhe shumë e shumë emra të tjerë. Ilir Meta dha një mesazh. Vërtet është i vogël guri që mbaj në dorë, por po hyri në njërin prej dhëmbëve të ingranazhit të madh PS, pasojat janë të mëdha. Do përsëritet 2005. Atë që dëshiron me të vërtetë zoti Berisha. Këtë mesazh e ka marrë në mënyrë krejt të qartë Edi Rama, por tani është shumë vonë ta lexojë. Në PS asaj që ka ndodhur duket se do ti dalë tymi më datën 28 qershor 2009. Të 14 xhaketat e vjetra që janë lënë jashtë listës nga ana e Edi Ramës, janë betuar se: Do të veprojnë sipas mënyrës  që veproi Rama me ta. Tre prej tyre dje konfirmuan se do tja kthejnë reston me të njëjtën monedhë. Rama është detyruar që të fusë më urgjencë 12 emra në listën e deputetëve, të cilëve nuk donte tua shikonte bojën. Por është detyruar për arsye se llogaritë i dilnin si rruar qethur nëse nuk do të përfshinte as ata në listë. Edhe pse Fatos Nanon nuk e ka lënë media në hallin dhe qejfin e vet që të ikë ashtu siç i ka hije Edi Ramës, edhe i ha edhe i djeg. Në mëngjes thotë do ta fus në listë, në drekë bëhet pishman, në darkë tërbohet. Mua më shumë më dhimbsen nja 30 miq të mij të vjetër që  gjithçka ja kishin besuar karrierës së Fatos Nanos, por ai është nga kuaj që të lë në baltë. Lëreni Fatos Nanon të paktën të mbajë fjalën. Nuk përjashtohet që ai të marrë ndonjë vendim të paparashikur në çastin e fundit. Të vendosë që të shkojë të lëpihet tek Edi Rama për ta vënë të parin në Vlorë. Fatos Nano vendosi të ikë pa bërë as edhe një përpjekje që të kandidojë të paktën zonja e tij. Por në listë nuk është as Durim Lami, përfaqësuesi autentik dhe i drejtpërdrejtë i Fatos Nanos. Ata që Nano i konsideroi si dora e fortë e PS për të fituar në Shkodër dhe në Durrës jo vetëm që janë në listën e Edi Ramës por do të shtohen dhe me disa emra të rinj të cilët janë më të diskutueshëm dhe më të fortë se të parët. O zot, duroni deri të hënën në mesnatë se do të patakseni nga 40 emra. Punë balancash dhe punë ekuilibrash.
Por krahas risive të emigranteve, që kanë punuar si pastruese në bankat e  Ushingtonit si Rudina Seseri dhe nja pesë të tjera risia më interesante e PS është rikthimi në origjinën e gjakut të saj familjar të zonjës Arta Dade. Ajo u kthye në krye të listës në Gjirokastër. Më saktë në Përmet ashtu si u kthye Sjefulla Malëshova në vitin 1946. Për hir të së vërtetës ajo është aq shumë mirëpritur në Përmet dhe Gjirokastër sa nuk mund ta imagjinonte kurrë. Pas refuzimit kategorik që ju bë Gramoz Ruçit në Tepelenë, Arta Dade ngjan si melhem mbi plagë.
Lista e PD dhe Shkëlzen Berisha
Djali i zotit Sali Berisha, Shkëlezi ka mbizotëruar median shqiptare në këtë fillim të zjarrtë fushate. Edi Rama ka luajtur gurin e fundit me një shpurë të paskurpullt dhe tepër të përdorur gazetarësh. Janë risjellë në vëmendje të ashtuquajtura dosje sekrete. Në thelb  sulmi ka patur në fokus direkt Sali Berishën. Artileria e Edi Ramës këtë radhë e ka patur barutin krejtësisht të lagur. Unë hyj tek ata njerëz që e kam njohur herët Shkëlzen Berishën dhe ruaj një miqësi të vjetër me të. Në thelb, tërë sulmi me shashka i Edi Ramës i ka bërë një shërbim shumë të madh. I ka dhënë një dimension që ai duhet ta arrinte me shumë mund e sakrifica. Së pari kjo ka ndodhur se në Prokurorinë e Përgjithshme ka ndodhur vërtet një tragjedi e madhe. Nëse Theodhori Sollaku ishte vetë edhe Prokurori i Përgjithshëm dhe vetë Prokuroria e Përgjithshme, një tufë prokurorësh në Prokurorinë e Përgjithshme janë edhe Prokurorja e Përgjithshme dhe Prokuroria e Përgjithshme. Ata na kujtuan një farë Agim Tirana, që së bashku me nja 30 prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme krijuan një parti kundër Arben Rakipit dhe kërkonin dhe donin të shfarosnin opozitën e atëhershme.  Së dyti tërë ky sulëm e ka prezantuar  para të tërvë se Shkëlzeni  është një djalë shumë herë më i matur më i kujdeshëm më i kompletuar  se sa mbi 80 përqind e listës që  do të depozitojë Edi Rama në KQZ dhe për hir të së vërtetës dhe më i kompletuar se 79 përqind e listës që do të dorzojë vetë Sali Berisha në KQZ.  Në thelb ky ishte investimi më i madh që i është bërë  një djali të ri në këto 20 vjet në jetën shoqërore dhe politike shqiptare. Kjo ka lehtësuar dhe shumë procedura në listën e PD.  Strategjia e zgjedhur nga Edi Rama për tu ballafaquar mediatikisht me kundërshtarët e tij, figura si Fidel Ylli, Rudina Seseri, Mimi Kodheli me Bogdanin apo me Genc Rulin është një tregues i qartë se sa është diferenca. Genc Ruli mund të përballet vetëm me tre veta. Vetëm me Arben Malajn, me Anastas Angjelin ose Shkëlqim Canin. Të tjerët janë groteskë dhe naivë në raport me të. Aktualisht në Tiranë qarkullon thashethemi i dalë nga ata që i zë gjumi duke folur në telefon me Edi Ramën në orët e vona të natës se: Nëse Ben Blushi apo tërë shpura gri e PS del mirë në TV, Edi Rama lidhka kokën me shami dhe bëhet keq. Ai do që të gjithë të dalin keq, që të jetë vetëm ai tapa mbi ujë. Fushata sapo ka filluar. Të rejat e saj do të jenë akoma më befasuese dhe më interesante. Pas ballafaqimit të listave do të jetë dhe ballafaqimi i madh i lidershipëve. Kjo do të jetë dhe kryefjala dhe thelbi i vërtetë i kësaj fushate.    

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›