E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roma-Milan, sot vendoset kundërshtari i Interit

ROME- Roma-Milan është kryendeshja e kësaj jave në Serinë A, e cila vë përballë dy ndjekëset e Interit në luftën për titullin kampion në Serinë A. "Janë ditë interesante", u shpreh në konferencën e djeshme për shtyp tekniku kuqezi Leonardo, referuar faktit se në 4 ditë skuadra e tij do të vendosë shumë fate të sezonit. Pas Romës, Milani udhëton për në "Old Traford", ku do të luajë ndeshjen e kthimit të të tetave të finales së Champions League. Leonardo e di mirë se ndodhet në momentin kyç të sezonit, pasi një humbje në ndeshjen e sotme e largon atë nga beteja për titull, ndërkohë të mërkurën mund të largohet edhe objektivi Champions League. "Duhet të mendojmë vetëm për fitoren me Romën, - tha braziliani. - është një përplasje direkte që shkon përtej 3 pikëve dhe që mund të krijojnë një afrim ose një largim mes dy skuadrave në renditje". Por, kjo Romë nuk i pëlqen aspak teknikut kuqezi. "Ne me Romën kemi histori të ngjashme, - thotë ai. - Në fillim të sezonit kishim vështirësi, tani jemi këtu. Atyre u janë rikthyer Toni e Pizarro dhe tani kanë një skuadër të plotë. Veç kësaj, bëjnë një lojë mjaft të mirë", shtoi Leonardo, duke konfirmuar ndërkohë edhe mungesën e Aleksandre Patos. Në krahun tjetër, trajneri Klaudio Ranieri qëndron me këmbë në tokë në lidhje me luftën për titullin kampion. "Mos më flisni për një ndeshje që vendos kush do të jetë ekipi anti-Inter, - tha ai. - Për mua lojrat kanë mbaruar, vetëm Interi mund ta humbasë titullin. Ne bëjmë rrugën tonë", shtoi Ranieri. Ai deklaroi gjithashtu se Luka Toni do të jetë titullar.
(Altin Latifi/GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›