Spanja skuadra më e shtrenjtë e Botërorit 2010
MADRID- Vlera e të gjithë futbollistëve të ekipeve kombëtare që marrin pjesë në Botërorin “Afrika e Jugut 2010” i kalon 5 miliardë eurot. Më saktë, 5 miliardë e 630 milionë. Ky vlerësim është bërë nga agjencia “Futebol Finance”, në një studim që përmbledh vlerën reale të çdo futbollisti të përdorur në ndeshjet kualifikuese. Bëhet fjalë për një shumë që i afrohet shpenzimeve të bëra nga vendi organizator për këtë eveniment dhe që shkojnë në 4.6 miliardë investime në ndërtimin e stadiumeve dhe 1.5 miliardë investime për turizmin, sipas të dhënave të qeverisë afrikano-jugore. “Futebol Finance” e ka njehsuar vlerën e futbollistëve nëpërmjet “konsultimit me funksionarë të ndryshëm të FIFA-s dhe agjencive të merkatos më eksperte në botë, që merren posaçërisht me vlerësimin ekonomik të futbollistëve”. Sa u përket skuadrave, Spanja, skuadra kampione e Evropës në fuqi, është edhe më e shtrenjta. Vlera e futbollistëve të saj kap shifrën e 565 milionë eurove, duke lënë pas Brazilin e Rikardo Kaka me 515 milionë dhe Francën e Benzemasë e Riberisë me 450 milionë. Në vend të katërt qëndron Anglia e Devid Bekham, që vlerësohet me 450 milionë euro dhe pas saj, Italia kampione bote me 400 milionë. Grupi G është edhe më i pasuri. Përveç Brazilit të yjeve, në të bëjnë pjesë edhe Portugalia e Ronaldos me një vlerë prej 380 milionë eurosh si edhe Bregu i Fildishtë i Didier Drogba që ka një çmim 180 milionë. Duke parë vlerën financiare të skuadrave, Brazil-Portugali është ndeshja më e pasur e fazës në grupe, pasi në fushë do të jenë dy skuadra me vlerë 895 milionë euro. Ndeshja e dytë më e pasur është Brazil-Bregu i Fildishtë me vlerë 695 milionë euro dhe e treta Spanjë-Zvicër e grupit H, me një vlerë 680 milionë. Në vend të katërt është sfida mes Francës dhe Uruguajt në grupin A, ndeshje e cila kap shifrën e 595 milionë eurove.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)