E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza greke, ulen 30 % dergesat e shqiptareve

TIRANE- Transferimi më i dhimbshëm i pasojave të krizës greke për në Shqipëri është mbyllja graduale e "rubinetit" të dërgesave valutore nga ana e emigrantëve shqiptarë, të goditur rëndë nga kriza.

Në Greqi, sipas statistikave zyrtare, ndodhen mbi 700.000 shqiptarë, të legalizuar ose jo, të cilët për vite të tëra kanë kontribuar me remitancat për ekonominë e vendit dhe familjet e tyre.

Të ardhurat nga emigracioni në Greqi në vitin 2009 kanë rënë ndjeshëm, me rreth 30%. "Emigrantët janë të parët që janë prekur në vendet e tyre të punës, sidomos në ndërtim dhe në turizëm. Natyrisht, sikurse pritej, ata do t'i pakësonin të ardhurat në drejtim të Shqipërisë", - thotë Anastas Angjeli, ish-ministër i Financave.

Greqia është vendi i dytë në shkëmbimet ekonomiko-tregtare, dhe investimet në Shqipëri dhe një krizë në Greqi padyshim që do t'i dobësonte dhe ulte këto marrëdhënie të eksport-importit dhe investimeve. Me 27% të totalit të investimeve të huaja në Shqipëri, Greqia zë vendin e parë për sa i përket kuotës së kapitalit të investuar, që arrin në 800 milionë dollarë. Nga rreth 270 biznese greke dhe mikse të fushave të ndryshme, pasojat më të mëdha gjatë vitit 2009 i pati dega e prodhimit të veshmbathjeve për eksport, ku si pasojë e mbylljes së njësive prodhuese të tipit fason në Korçë, kanë humbur punën deri tani 3.000 punonjës. Tronditje patën edhe sektorët e ushqimeve dhe tregtisë me pakicë, por jo sa fusha e ndërtimit, ku investimet greke zënë 30-40%.
Pasojat
Pjesë e rrethit vicioz të efekteve negative të krizës greke pritet të jenë, sipas prof. Angjelit, dhe dy faktorë të tjerë: "Edhe investitorët në Shqipëri nga Greqia, padyshim që duke u prekur gjendja e tyre në atdhe, do ta kenë të kufizuar mundësinë e investimeve në Shqipëri. Nga ana tjetër, ka një program të qeverisë greke për mbështetjen e vendeve të Ballkanit, ku Shqipëria ka pjesën e vet në infrastrukturë, dhe një Greqi e dobët financiarisht padyshim që do t'i prekë edhe ato", - thekson ai.
(GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›